Ndryshimet Klimatike - Tani është mandati ynë për të udhëhequr!

Qendra mjedisore EDEN festoi për të 11 vit rradhazi Ditën Botërore të Tokës. Mesazhi i përzgjedhur për t’u  përcjellë këtë vit është “Ndryshimet Klimatike - Tani është mandati ynë për të udhëhequr”.

Për të qenë më afër mesazhit të këtij viti për ditën e tokës, u përzgjodh si vend për të organizuar aktivitetin Qendra Ekologjike e Edukimit Mjedisor EDEN, pranë Kopshtit Zoologjik.   Të pranishëm në aktivitet ishin vullnetarët e qendrës EDEN dhe  nxënësit e shkollës së mesme “ Kristaq Rama”.

Aktiviteti filloi me një prezantim të qendrës së Edukimit Mjedisor, historikun dhe shërbimet që ofron, si dhe  përdorimi i burimeve të rinovueshme, si djelli, që përdor Qendra për të ndriçuar ambjentet  e brendshme.  Festimi vijoi me një ekspozim të pikturave të realizuara nga nxënësit e shkollës së mesme me temë ditën e Tokës dhe me fotografi ku pasqyroheshin projektet e sukseshme të energjisë  së rinovueshme të realizuara në Shqipëri dhe në vendet fqinjë.

Koordinatorët e qendrës EDEN zhvilluan një prezantim informues rreth ndryshimeve klimatike, dhe pasojave të reflektuara në jetën tonë të përditshme. Të rinjtë nëpërmjet lojërave aktive dhe imazheve, patën mundësi të njiheshin më mirë me rrezikun që kanoset nga një mosreagim i secilit nga ne për të ndryshuar dhe për të përmirësuar situatën. Secili prej pjesëmarrësve shprehu aksionin që do të kryente për të zhvilluar mandatin e udhëheqjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Në fund të rinjtë duke mbajtur mesazhe ndërgjegjësuese, kaluan përmes digës drejt Parkut të Madh të Liqenit, ku zhvilluan një veprim të heshtur (Flash mob) me hapjen e çadrave për disa minuta për të treguar që rreziku i ndryshimeve klimatike është shumë i afërt dhe secili nga ne duhet të veprojë!

Fotografitë e aktivitetit mund t’i ndiqni në facebook