Dita e lumit Drin!

Qendra EDEN me mbështetjen financiare të MIO-ECSDE, në 17 maj 2015 organizoi një aktivitet në kuadër të festimit të Ditës për mbrojtjen e lumit Drin. 

Aktiviteti u zhvillua pranë lumit Drin në fshatin Spathar, rajoni Shkodrës me nxënësit e shkollës “Reshit Hyseni”. Qëllimi i aktivitetit ishte promovimi i vlerave natyrore të Lumit Drin për fëmijët që jetojnë në zonat pranë lumit. 

Aktiviteti filloi me një prezantim të shkurtër të objektivave dhe rëndësisë mbi vlerat e lumit Drin. 

Më pas u vijua me zhvillimin e një guide të shkurtër përgjatë një segmenti të lumit Drin. Ku nxënësit u njohën me vlerat natyrore të lumit si dhe morën njohuri për florën dhe faunën që zhvillohen në këtë zonë. 

U prezantuan gjithashtu rreziqet që has lumi Drin nga shpërdorimet pa kriter të burimeve të tij ujore. 

Ekspozimi i disa punimeve të realizuara nga fëmijët e shkollës zuri një vend të rëndësishëm në këtë ditë, ku u prezantuan postera ku ishin pasqyruar ide të ndryshme se si komuniteti duhet të mbrojë lumin dhe se si ata do të dëshironin të ishte. 

Gjithashtu EDEN  me rastin e kësaj dite zhvilloi disa lojra të ndryshme për edukim mjedisor duke përdorur materiale didaktike. Nxënësit u njohën me diskun e Secchit i cili shërben për matjen e pastërtisë së ujit; me rrjetat për kapjen e insekteve dhe bimëve ujore të cilat më pas u identifikuan më nga afër me ndihmën e lupave. U prezantuan gjithashtu me letrat e lakmuesit të cilat shërbejnë për matjen e PH të ujit nëse është acid, bazik apo neutral. 

Në fund të aktivitetit, nxënësit dhe mësuesit shijuan pamjen e bukur që lumi Drin ofron duke dhënë mesazhin që burimet ujore të lumenjve duhen mbrojtur sepse janë burimi i jetës!