Forume të hapura rinore!

Në kuadër të projektit “Unë do të votoj…dhe të votosh GJELBËR në zgjedhjet lokale 2015 është thelbësore për CILËSINË E JETËS SIME”!, më datë 26 maj 2015, u zhvillua një forum me të rinjtë dhe jo vetëm, në një ambjent të hapur pranë Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës rreth 20 studentë dhe pikat e diskutimit  u fokusuan në mbetjet urbane, djegia e tyre në vendgrumbullim, mungesa e koshave të diferencuar dhe cilësia e ulët  e pastërtisë  së qytetit gjatë kohës së sezonit turistik; ndotja e ujit të detit dhe hapësirat e gjelbëra publike dhe ato argëtuese. 

Të rinjtë  të organizuar nga Znj.Madlina Puka diskutuan duke u përqendruar edhe në problematikat më kryesore si dhe çfarë mund të bëhet nga pushteti vendor për të patur një jetë më cilësore në qytet.

Ata propozuan mënyra të ndryshme se si mund ti dërgojnë mesazh kandidatëve për kryetar bashkie që të kenë më shumë në vëmendje për të vendosur “ruajtjen e mjedisit” si kryefjalën e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. 

Gjithashtu datë 27 maj 2015 u zhvillua një tjetër forum me student të Universitetit UFO në qytetin e Beratit, ku u prezantua puna dhe dëshira e madhe që kanë të rinjtë për tu bërë pjesë e politikave dhe programeve politike të drejtuesit të ardhshëm, nëpërmjet shprehjes së zërit të tyre. 

Të pyetur nga Znj. Gentiana Deçolli u diskutuan çështje si ndotja e ujit (Lumi Osum), ndotja nga fabrika e lëkurës, hedhja e mbeturinave urbane dhe inerte. Nisja e riciklimit që në burim ishte prioritet i ngritur nga ata. 

Cilësia dhe sasia e ujit në një kohë që Berati ka rezarva hidrike dhe duhet të ketë një menaxhim më të mirë.

Guroret gjithashtu ishin një shqetësim i ngritur nga ata, sidomos ku ka bukuri të mëdha natyrore si në Zonën e Tomorrit.  Kjo gjë duhet të mos cënohej-ishte emëruesi i fjalës së tyre.