Përtej COP21

Qendra mjedisore EDEN dhe Qendra “Grupimi Ekolevizja”, organizuan diten e enjte, date 10 dhjetor 2015 një seminar edukues me studentët e webFakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit me temë “ Përtej COP21”. Ky aktivitet u organizua në vijim të projektit “ Politika të qëndrueshme energjitike në Evropën Juglindore”. Qëllimi i takimit është të nxisë dialogun publik mbi ndryshimet klimatike, politikat mbi efiçiencën e energjisë dhe sjelljet individuale si përgjigje kundrejt angazhimeve të COP21. 


Në këtë seminar për herë të parë u prezantua video loja “Udhërrëfyesi im për 2050”, e cila vë në dukje faktin se, për të ulur çlirimet e karbonit do na duhet të ndryshojmë në mënyrë drastike sjelljen mbi mënyrën si konsumojmë dhe prodhojmë energji.

Takimi filloi me fjalët përshëndetëse të Z. Gëzim Hasko, Dekan, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.  “Dua të falenderoj qendrën EDEN, për ftesën që ka drejtuar dhe për interesin e organizimit të këtij takimi edukues në Fakultetin tone, i cili uroj të jetë sa më nxitës për studentët tanë. Vlerësojmë dëshirën e shoqërisë civile e cila synon në një përfshirje gjithmonë e më shumë profesionale dhe teknike në aktivitetet që ndërmerr” – shprehet Z. Hasko

Z. Bas Berens, Këshiltar Mjedisi, Zyrat e Kombeve të Bashkuara, Shqipëri theksoi “Ndryshimi klimatik është një problem aktual. Vendet si Shqipëria duhet ti kushtojnë vëmendje Eficiencës së Energjisë, një mundësi dhe masë shumë e përshtatshme për të ndihmuar në ecurinë e vendit drejt plotësimit të zvogëlimit të gazeve me efekt serrë”

Znj. Merita Mansaku, Managjere programi, GIZ “ Në një periudhe shumë të ngushtë Shqipëria është përballuar me përmbytje si në veri dhe në jug të vendit. Në të njëjtën kohë Kosova është prekur nga thatësira të forta. Adaptimi ndaj ndryshimit klimatik është një sektor ku punë duhet të kushtohet në vijim” shprehet Znj. Mansaku.

Seminari vazhdoi me prezantimin e Znj. Lira Hakani, koodinatore pranë qendrës EDEN, të “ Udhërrëfyesi im 2050”. Znj. Hakani, i shpjegoi studentëve mundësinë dhe rolin e vyer që ka çdo qytetar, nëpërmjet përdorimit të kësaj video loje. Secili ka të drejtë të informohet, të marri njohuri të mjaftueshme për të qenë pjesë e diskutimeve në nivel politikash rreth nismave të duhura në sektorin e energjisë që vendi ynë duhet të ndërmarri për të plotësuar angazhimet e paraqitura në COP21 drejt 2030 dhe më tutje në vite deri në 2050. Çdo qytetar tashmë mund të vendosi se si e shikon ai të ardhmen e sektorit të energjisë drejt 2050, dhe se çfarë ndikimesh kanë veprimet e marra në shtëpinë, qytetin dhe vendin e tij.

Z. Xhemal Mato, drejtues i qendrës “ Grupimi Ekolëvizja” nënvizoi se loja e energjisë është një mundësi për të forcuan pjesëmarrjen e secilit prej nesh dhe vendimarrjen në sektorin e energjisë. Jemi ne ata që vendosim për të ardhmen tonë.

Ju ftojmë të gjithëve që të jeni pjesë e video Lojës “ Udhërrëfyesi im 2050”, të krijoni të ardhmen tuaj drejt 2050 dhe të argumentoni zgjedhjen tuaj. Udhërrëfyesi përfshin 7 shtete të Evropës Juglindore: Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi, Shqipëri

Qendra EDEN dhe Qendra Grupimi Ekolëvizja, falenderojnë bashkëpunimin dhe mikpritjen e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Disa foto të aktivitetit
Video lojën mund ta luani nëpërmjet këtij linku: