Administrimi i mbetjeve spitalore në “krizë”? Shëndeti dhe Mjedisi gjithashtu!

Mbetjet spitalore(Prezantohet letra e pozicionimit për prioritizimin e adminsitrimit të mbetjeve spitalore në vend)

Administrimi i mbetjeve spitalore, është një ndër çështjet e shumta që bashkon fuqishëm shqetësimin për shëndetin e popullatës dhe rëndësinë për të mbrojtur mjedisin. Pikërisht kjo lidhje nxiti një grup organizatash të bashkuara në rrjetin e vigjilencës mjedisore “Një sy për mjedisin!” të nisin një proces të plotë vigjilence mbi rrugëtimin e mbetjeve spitalore në vendin tonë. Gjetjet u cilësuan nga mediat investigative se raportojnë për një situatë “skandal” apo “një kambanë alarmi”. Ato u publikuan në raportin e parë vlerësues mbi administrimin e mbetjeve spitalore në 5 qytete të vendit. Problematika e administrimit të mbetjeve spitalore nuk është ekskluzive e Shqipërisë, por secili shtet është përgjegjës për situatën e tij. Edhe pse shkaqet mund të jenë të ndryshme, shumë nisma globale sugjerojnë të njëjtën linjë për zgjidhjen e problemit të menaxhimit të mbetjeve spitalore, duke theksuar që ajo duhet të jetë e qëndrueshme.

Në një reportazh special me titull “Mbetjet spitalore dhe të drejtat e njeriut 2011”, Health Care Without Harm citon: “Nëse nuk ndërmerren hapa konkretë dhe të qëndrueshëm, problemi i administrimit të mbetjeve spitalore nuk do të përfundojë, por do të përkeqësohet pasi volumi i tyre rritet çdo ditë”. Në studimin e tij mbi masat për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve spitalore në Kinë, Yang et al. (2009), pohon se edhe nëse incinerimi i mbetjeve spitalore ne Kinë zëvendësohet me mënyra të tjera alternative, faktorët më të rëndësishëm për të realizuar një menaxhim të besueshëm dhe të qëndrueshëm janë përqasjet holistike, verifikimi i teknikave dhe operimeve, supervizimi dhe monitorimi mjedisor si dhe mekanizmat financiarë dhe ato të ngritjes së kapaciteteve.

Duke besuar në strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm, rrjeti i vigjilencës mjedisore hartoi dhe shpërndau në këtë fillim viti letrën e pozicionimit “Prioritizimi i administrimit të mbetjeve spitalore – një urgjencë për shëndetin dhe mjedisin”. Letra ka frymë bashkëpunuese dhe paraqet pozicionimin e organizatave të rrjetit për kapërcimin e gjendjes aktuale në administrimin e mbetjeve spitalore në vend. Ajo mbështet kthimin e vëmendjes në sektorin e administrimit të mbetjeve spitalore, dhe konsiderimin e tij
prioritet kombëtar. Përmbajtjen e letrës e gjeni këtu .