Një zhvillim “i papritur” në Këshillin Bashkiak për projektin e këndit të lojërave

takim Erion veliajPërfaqësues të disa organizatave mjedisore në Tiranë, më datë 10 mars 2016, morrën pjesë në një takim diskutimi të thirrur nga Kryetari i Bashkisë Z. Veliaj nën subjektin “Ftesë për të diskutuar mbi projektin e Këndit të Lojërave në Parkun e Liqenit”. Ftesa i drejtohej grupit protestues dhe ishte e hapur për të gjithë të interesuarit e çështjes. Organizatat nuk kishin një ftesë të veçantë, por përfaqësonin një palë të interesuar për të vëzhguar e dëgjuar më shumë, kur papritur u kthyen në “palën tjetër” të një diskutimi të gjatë, konstruktiv dhe me tone bashkëpunimi.

Grupi i protestuesëve e përfundoi takimin me parashtrimin e disa kërkesave mbi zhvillimet e projektit të këndit të lojërave dhe u largua.  Organizatat dakortësuan të qendronin e të dëgjonin gjithçka bashkia kishte përgatitur për takimin, dhe ishin publiku i vetëm në sallë. Ata shfrytëzuan mundësinë të ngrinin pyetje dhe të diskutonin mbi elementë të veçantë dhe të përgjithshëm të projektit, dhe kryesisht procesit të vendimmarrjes. U shkëmbyen këndvështrime të ndryshme, dhe u dakortësua mbi mënyra më gjithëpërfshirëse dhe komunikuese, të cilat duhet të ishin konsideruar në prezantimin dhe zhvillimin e projektit për këndin e lojërave deri tani.
Midis të tjerave, organizatat theksuan tre pika të rëndësishme në komunikim dhe vendimmarrjen mjedisore:

  1. Projektet teknike të bashkisë duhet të prezantohen në publik nga grupet e punës dhe të mbrohen nga ekspertët, ndërkohë që figurat politike të fokusohen në mbrojtjen politike të projektit
  2. Pavarësisht se Ministria e Mjedisit ka dhënë aprovimin e saj me shkrim për zhvillimin e projektit të këndit të lojërave, pa nevojën e një raporti vlerësimi mjedisor, kjo është përgjegjësi e këtij institucioni, pasi projekti nuk mund të vlerësohet i vetëm për sa kohë ai është pjesë e një plani që ka nevojë për vlerësim strategjik mjedisor
  3. Procesi i konsultimit me publikun nxit/detyron (sipas projekteve konkrete) takime me grupe të ndryshme interesi ku komuniteti është vetëm njëri prej tyre, dhe synon në fund të procesit të bëjë publik vendimmarrjen duke arsyetuar se pse disa prej rekomandimeve nuk janë marrë në konsideratë     

“Ne duam të përmbushim detyrimet dhe premtimet tona për zhvillimin e qytetit dhe po veprojmë me zell për ti arrirë ato, duke u nxitur nga qëllimi i zhvillimit dhe përmirësimit të investimeve publike, por mbi të gjitha jemi pala më e interesuar për të zhvilluar konsultimet me publikun” – shprehet Z. Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë Tiranë. Ndër të tjera ai komunikoi nismën e bashkisë për zhvillimin e forumeve mujore të diskutimit me organizatat, një lajm i cili u mirëprit dhe përgëzua nga organizatat.  

“Në kuadër të të gjitha projekteve dhe përpjekjeve për zhvillimin e gjelbër të qytetit, bashkia është për tu përgëzuar për inisiativën e saj “Smart city”, dhe inkurajohet të punojë në një frymë të hapur dhe bashkëpunuese me aktorët e interesit” – shprehet një nga të pranishmit.

Nëse mund ta vlerësojmë shkurt, ecuria e takimit të sotëm dhe forma e tij e dialogut, edhe pse jo si një ftesë e drejtë për drejtë për organizatat, mund të konsiderohet si një tregues mbi sa e nevojshme ka qenë për të dy palët kjo mënyrë komunikimi. Ajo reflekton disa nga pikat kyç të qëndrimit të 11 organizatave mbi vendimmarrjen mjedisore vendore, të cilat u bënë të ditura në një qëndrim të hapur pak përpara fillimit të takimit.

Letër : Qëndrim i organizatave mjedisore në Tiranë mbi vendimmarrjen në zhvillimet e projektit për ndërtimin e një këndi lojërash në “ Parkun e Madh të Tiranës”