Konferenca përmbyllëse “Mjedisi i shëndetshëm për një edukim cilësor”

IMG 6647 1Ditën e premte datë 18 mars, në sallën Consortium në Hotel Tirana u zhvillua konferenca përmbyllëse me titull ““Mjedisi i shëndetshëm për një edukim cilësor”. Kjo konferencë erdhi si rezultat i punës që është finalizuar në kuadër të projektit ”Edukimi mjedisor në sistemin e arsimit të mesëm të ulët” zbatuar nga qendra EDEN dhe mbështetur nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC).
Qëllimi i konferencës ishte diskutimi i sfidave dhe mundësive për bashkëpunim për një mjedis të shëndetshëm dhe një edukim cilësor midis aktorëve të ndryshëm që lidh temën e edukimit dhe mjedisit. Kjo konferencë u organizua nga Qendra EDEN, REC dhe Ministria e Arsimit deh Sportit. Pjesëmarrës në këtë takim ishin institucionet arsimore dhe mjedisore: Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit, Drejtoria Arsimore Tiranë, drejtues dhe mësues të shkollave të ndryshme të Tiranës dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme mjedisore.
Disa nga çështjet që u diskutuan në këtë konferencë ishin:
• Një mjedis i shëndetshëm dhe një edukim cilësor përmes modeleve dhe praktikave të mira në të gjitha nivelet dhe profilet e shkollës siç ishte dhe prezantimi i Paketës së Ajrit dhe Paketës së Gjelbër nga REC
• Edukimi mjedisor si edukim inovator , një formë e re e edukimit larg edukimit tradicional brenda klasës
• Një mjedis i shëndetshëm dhe një edukim cilësor përmes përfshirjes së shkollës në bashkëpunim me komunitetin dhe me organizatat mjedisore. Këtu u prezantua vlerësimi i Edukimit Mjedisor në shkolla, rezultatet, konkluzionet parë nga syri i bashkëpunimit me qendrën EDEN. Gjithashtu libri “Preke Natyrën” një botim ky i Qendrës EDEN mbi edukimin mjedisor, iu shpërnda gjithë të pranishmëve.
• Njohuri dhe informacione mbi zhvillimet e fundit në vend e rajon, modele dhe praktika të reja mjedisore
“Edukimi, përveç se është një prej të drejtave të njeriut, është një kusht paraprak për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe një mjet kryesor për një qeverisje të mirë, informimin rreth vendimarrjes dhe mbështetjen e demokracisë”.