Organizatat Mjedisore “padisin” Ministrinë e Mjedisit

Në kohën kur përqafohet programi i transparencës, Ministria e Mjedisit nuk zbaton Ligjin Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, një nga ligjet më të rëndësishëm dhe themeltar, i cili përcakton se informacioni që zotëron Qeveria duhet të jetë i aksesueshëm nga publiku, dhe vetë Qeveria duhet të sigurojë mekanizmat për dhënien e këtij informacioni.

Ditën e premte, datë 1 korrik 2016, grupimi “Të mbrojmë Lumenjtë” i ka dërguar institucionit të Komisionerit për Të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, ankesën e parë për Ministrinë e Mjedisit.
Dhënia e lejeve koncesionare për ndërtimin e 14 HEC-eve në Parkun Kombëtar “Lumi i Valbonës”, ka ngjalluar reagime të ashpra të banorëve vendas, të cilët kanë nisur me vendosmëri dhe të bashkuar një fushatë këmbëngulëse për ndalimin e ndërtimit të këtyre HEC-eve. Kjo fushatë ka mbështetje ndërkombëtare dhe kombëtare. Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” mbështet këtë fushatë, dhe brenda tij ,Qendra EDEN udhëheq ankimimin administrativ për të grumbulluar informacion mbi si janë zhvilluar procedurat e vendimmarrjes mjedisore për këto raste.
Në mbështetje të kësaj kauze, grupimi i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit me një kërkesë për informacion mbi ekzistencën ose jo të dokumentit zyrtar – akti administrativ “Njoftim për Revokim Leje Mjedisore për Dragobia Energy Sh.p.k” . Asnjë përgjigje nuk erdhi, ndaj grupimi ju drejtua edhe dy herë të tjera për ta kujtuar , por sërish asnjë përgjigje.

Në ankesën e tyre, organizatat, në përputhje me nenin 24 të ligjit nr.119/2014 i kërkojnë Komisionerit:
1. Të pranojë këtë ankesë dhe të urdhërojë autoritetin publik (Ministria e Mjedisit), për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë.
2. Të caktojë një afat brenda të cilit Autoriteti Publik (Ministria e Mjedisit), duhet të zbatojë urdhërin e Komisionerit.

Nisma për ndjekjen administrative të çështjes së ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, zbatohet nga qendra EDEN në kuadër të projektit “Perspektivë drejt intergimit në BE -  angazhim i qytetarëve aktivë dhe shoqërisë civile në politikat mjedisore” i cili  është pjesë e programit ACHIEVE që zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

Moratoriumi i gjuetisë dhe Moratoriumi i pyjeve janë dy vendime të rëndësishëm dhe strategjike për ruajtjen e vlerave të larta të Biodiversitetit që ka Shqipëria.  Në të njëjtën kohë, grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” prej muajit tetor 2015 është duke lobuar me fakte dhe argumenta të fortë për një moratorium të tretë, Moraturiumi i HEC-eve në Shqipëri.