Të jetosh afër naftës nuk do të thotë të jetosh në ferr

Qendra Mjedisore EDEN që prej muajit shkurt 2016 është duke zbatuar projektin, Të jetosh afër naftës nuk do të thotë të jetosh në ferr, mbështeGGFtur nga Global Greengrunts Funds. Ky projekt vjen si një nevojë e komunitetit të prekur në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe Kuçovës, si edhe në mbështetje të Njësisë së Qeverisjes Vendore të Roskovecit të gjendur në një situatë të vështirë mes shqetësimeve të banorëve dhe dialogut me Bankers Petroleum Albania Ltd. Përmes projektit synohet të adresohen dhe të transmetohen pritjet që ka qeverisja vendore dhe ajo lokale tek BANKERS dhe BERZH / IFC si edhe që institucionet shqiptare të jenë në dijeni të mjeteve të monitorimit dhe mekanizmave të transparencës në vend.

Më datë 1 prill 2015 në fshatin Marinzë, gjatë veprimtarisë hidrokarbure të kompanisë “Bankers Petroleum Albania Ltd” në pusin e naftës nr.5761, ka ndodhur shpërthimi i këtij pusi duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale. Pas kësaj situate institucionet përgjegjëse janë vënë në lëvizje dhe kanë vepruar në një mënyrë apo në një tjetër për të minimuzuar dëmët e shkaktuara nga shpërthimi. Të gjendur përpara këtyre fakteve, me shqetësime të vazhdueshme nga ana e komunitetit, Qendra EDEN ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Roskovecit dhe ka realizuar 4 (katër) takime me komunitetin e prekur për të njohur më nga afër problematikat e tyre dhe për të adresuar çdo shqetësim drejt organeve përgjegjëse.

Më konkretisht janë zhvilluar 2 (dy) takime (dt.19.05.2016 dhe 24.05.2016) me banorë të fshatit Marinzë, 1 (një) takim me përfaqësues të Bashkisë Roskovec, dt.25.05.206; dhe 1 (një) takim në fshatin Kozarë, bashkia Kuçovë me banorë të kësaj zone - dt.10.06.2016.

Në fund të këtyre takimeve konstatuam se, për komunitetin shqetësimet kryesore lidhen veçanërisht me cilësinë e ajrit e të ujit gjë që çon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në probleme shëndetësore, një pjesë e tokave nuk janë më të punueshme dhe papunësia vjen gjithmonë e në rritje. Si vazhdimësi e këtyre takimeve sëbashku me Bashkinë e Roskovecit u jemi drejtuar Institutit të Shëndetit Publik si edhe Drejtorisë së Shëndetit Publik Fier për të monitoruar cilësinë e ajrit dhe ujit në zonën a Marinzës, si rrjedhojë e një kërkese të ardhur nga vetë komuniteti. Në vazhdimësi të projektit do të zhvillohet takimi i rradhës me Bankers Petroleum Albania Ltd, ku do të adresohen të gjitha problematikat e hasura dhe të ngritura gjatë takimeve. Çdo rezultat i arritur, problematikë e ngritur dhe që përbën shqetësim për zonën, sëbashku me Bashkinë e Roskovecit do ti vihet në vëmendje edhe BERZH.

Fotografite e aktiviteteve mund ti shikoni ne facebook te qendres EDEN nëpërmjet linkut