Organizatat e grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” reagojnë përpara Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë

Organizatat e grupimit “ Të mbrojmë lumenjtë” u bashkuan ditën e sotme (19.12.2016) përpara Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për një protestë EDEN 11 Copy paqësore. Përfaqësuesit e organizatave shfaqën fotografi të Valbonës nga Koncert -Protesta e organizuar në datën 29.10.2016 dhe nga vendet ku po bëhen punime për ndërtimin e Hidrocentraleve. Shenjë dalluese e pjesëmarrësve ishte mbyllja e gojës në shenjë demonstrative  për tju theksuar insititucioneve shtetërore : Ju nuk na dëgjoni, nuk na shikoni, nuk merrni parasysh komunitetin e prekur!  Mesazhi i përcjellë në këtë protestë i paraqitur dhe në formën e një pyetjeje ishte: Keni vendosur të shkatërroni Valbonën? e cila shoqërohej dhe me shkrimin: Ju nuk informoni!

Grupimi, ka realizuar një korrespondencë të gjerë me institucionet shtetërore në lidhje me Valbonën. Letra e fundit i është dërguar në datën 1 dhjetor 2016 Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për të cilën afati kohor për kthimin e përgjigjes sipas legjislacionit vendas të informimit, ka kaluar.
Organizatat zgjodhën Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për të realizuar këtë reagim duke e vlerësuar atë si një organ shumë të rëndësishëm në procesin vendimarrës për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Shqipërisë, në rastin konkret në Valbonë.  

Organizatat mjedisore i drejtohen dhe njëherë institucioneve duke i bërë thirrje që të merren masa për mbrojtje të lumenjve në Shqipëri, për një zbatueshmëri të legjislacionit vendas dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse të komunitetit dhe shoqërisë civile.


Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit"Perspektivë drejt integrimit në Bashkimin Evropian-Angazhim i qytetarëve aktive dhe shoqërisë civile në politikat mjedisore“ i zbatuar nga Qendra EDEN, pjesë e programit "Shoqëri civile shqiptare për një mjedis Evropian" (ACHIEVE) zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit Shqipëri (REC Shqipëri) dhe financohet nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.

Fotografi te aktivitetit ne facebook te Qendres EDEN