Mbetjet Farmaceutike- Një analizë e praktikave aktuale në Tiranë

Gjendja aktuale e menaxhimit të mbetjeve spitalore dhe farmaceutike në Shqipëri është shumë e brishtë dhe përbën një nga shqetësimet më të mëdha që kemi në menaxhimin e mbetjeve në tërësi.

Qendra EDEN në muajin nëntor dhe dhjetor të 2016 ndërmori një nisëm për të zhvilluar një studim në lidhje me menaxhimin e mbetjeve farmaceutike nëWPI Farmaceutike Tiranë. Ky studim u zhvillua në saj të WORCESTER POLYTECHNIC INSTITUTE (WPI), Universitet Privat i Teknologjisë së Orientuar , themeluar në vitin 1856 në Worcester, Massachusetts. Ky universitet ofron brenda strukturës së tij  Qendrat e Projektit duke bërë të mundur zhvillimin e studimeve kërkimore nga studentët në shumë vende të botës. Që prej vitit 2013, Shqipëria është një ndër shtetet të cilat bashkëpunojnë me këtë universitet duke bërë të mundur zhvillimin e disa projekteve me çështje të ndryshme.EDEN, në vijim të Raportit Tregues Vlersimi mbi Menaxhimin e Mbetjeve Spitalore në 5 qytete të vendit- hartuar nga rrjeti i Vigjilencës Mjedisore ‘Një sy për mjedisin!” në nëntor 2014 dhe pasuar nga problemet e vazhdueshme të mbetjeve spitalore dhe farmaceutike  vendosi të zhvillojë këtë studim.

Qëllimi i studimit ishte analizimi i praktikave aktuale në lidhje me menaxhimin e mbetjeve farmaceutike në Tiranë.

Aktualisht në Tiranë ushtrojnë aktivitet 730 farmaci të liçensuara të shpërndara në 11 njësi administrative, shumica e të cilave janë në pronësi private dhe shumë të vogla.  Zonat që u përqëndrua studimi  ishin Ish-Bllokut, Qendra e Tiranës, dhe Ali Demi, të vendosura përkatësisht në zonat jug-qendrore, qendrore dhe lindore të Tiranës. Ka të paktën 27 farmaci vendosura në Ish-Bllokut, të paktën 34 në Qendër dhe të paktën 14 në Ali Demi. U zgjodhën këto zona të Tiranës pasi secila nga këto të treja ka karakteritika të veçanta të cilat menduam se do të reflektoheshin dhe në gjetjet e raportit. Ish Blloku dikur shtëpia e shumë dhëheqësve politik, sot një zonë e populluar dhe e shtrenjtë ku supozohet që banorët mund të shpenzojnë më shumë për medikamentet; qendra një zonë e ngarkuar e Tiranës dhe pritej të ishte një nga zonat më të kontrolluara dhe për krahasim u vendos Ali Demi, lagje pak më larg nga qendra dhe me numër klientele më të paktët se dy zonat e tjera. Pavarsisht vendosjes së farmacive, të gjitha farmacitë në Tiranë janë të gjitha subjekte nën kontrollin e rregullave të vendosura nga institucionet përkatëse.

Për të mbledhur informacion e nevojshëm u përdor një multi metod e përbërë nga intervista, vëzhgime të drejtpërdrejta në subjekte, dhe analiza e të dhënave qeveritare dhe private.
Katër studentë të WPI ndihmuar dhe nga vullnetarë të Qendrës EDEN, intervistuan në terren 73 farmaci (10% të numrit total të farmacive) në lidhje me procedurën e mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve farmaceutike. Bazuar në legjislacionin aktual për menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe farmaceutike,  çdo farmaci është e detyruar të jetë e lidhur me një subjekt që trajton mbetjet farmaceutike në mënyrë që mbarëvajtja e sistemit të menaxhimit të funksionojë ashtu siç duhet. Pavarsisht vendit ku ato lokalizoheshin, një numër shumë i vogël i farmacive deklaruan që kanë kontratë me një subjekt trajtues dhe 60% e të intervistuarve u shprehën se ata nuk kanë kontrat me një subjekt trajtues. Kjo përqindje mund të ndahet në 2 grupe të intervistuarish: ata që deklarojnë që nuk prodhojnë mbetje farmaceutike dhe rrjedhimisht nuk kanë nevojë të lidhin kontratë dhe ata të cilët thonë që prodhojnë një sasi të caktuar, por nuk kanë një kontratë.

Duke kaluar në shumë pyetje dhe të dhëna që u mblodhën përgjatë fazës së studimit, raporti në vetvete rekomandon:

  • Përmirësimin e përqasjes së informacionit pasi një nga përfundimet ishte mungesa dhe mospërputhja e informacionit të dhënë nga farmacistët. Ne besojmë se ngritja e një strukture të mirëfilltë informuese do ndihmonte të gjithë farmacistët të jenë të informuar për ligjin si dhe do të lehtësonte shumë procesin e trajtimit të mbetjeve farmaceutike.
  • Përmirësimi i kontrollove nga Minsitria e Shëndetësisë është një hap shtesë që mund të ndihmojë për përmirësimin e menaxhimi të mbetjeve farmaceutike. Rritja e cilësisë dhe shpeshtësisë së kontrolleve nga inspektoriati mund të ndikojë që farmacitë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe përveç kësaj ata mund të ofrojnë mundësinë që farmacitë të bëjnë pyetjet e nevojshme.
  • Nxitjet për asgjësimin e duhur të mbetjeve farmaceutike  duke krijuar stimuj në përputhje me ligjin do të ishte një metod që do të ndikonte pozitivisht në sistemin aktual të menaxhimit. Nxitjet që mund të ndikojnë në përmirësim mund përfshijnë: rimbursimet financiare, uljen e taksave apo dhe mundësin për të reklamuar për klientët që farmacia e tyre është miqësore me mjedisin.
  • Dhe si përfundim, ky studim mendon që duhet të ndërmerret një hetim i mëtejshëm pasi të dhënat e mbledhura ishin shumë të ndryshme dhe linin shkak për ngritjen e shumë pyetjeve në lidhje me sistemin aktual. Pra, thellimi dhe vazhdimi i studimeve të mëtejshme do të ndihmonin shumë në kuptimin dhe përmirësimin e situatës.

Për të lexuar më tej në lidhje me këtë studim, ju lutem lexoni raportin duke klikuar "Pharmaceutical Waste Disposal: An Analysis of Current Practices in Tirana, Albania"