Të njohim ligjin "Për njoftimin dhe konsultimin publik"

Qendra Mjedisore EDEN, datë 16 Maj 2017, pranë Hotel Tirana International, zhvilloi takimin e quajtur “ALTOPARLANT”, ku prezantoi Raportin mbiMonitorimi i ligjit zbatimin e Ligjit 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Vetë tituli i veçantë i ideuar për këtë takim, lë të kuptosh rendësinë që ka informimi i duhur dhe angazhimi i çdo qytetari në vendimmarrjen publike, mundësi dhe të drejtë që ja siguron Ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Për nga vetë rendësia që ka ky ligji për demokracinë, transparencën dhe forcimin e rolit të qytetarit në vendimmarrje, qendra EDEN monitoroi ligjin e njoftimit dhe konsultimit dhe zbatimin e tij në kontekstin e vendimeve me ndikim në mjedis. Monitorimi u zhvillua prej periudhës 1 janar-31 dhjetor 2016, në 10 institucione publike që në mënyrë direkte apo indirekte janë të lidhura me sektorin e mjedisit. U përzgjodhën 8 nene për tu monitoruar, të cilët i japin identitetin ligjit dhe qëllimit të tij dhe u identifikuan 23 indikatorë monitorimi.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të shoqërisë civile, koordinatërët e njoftimit dhe konsultimit publik në institucionet përkatëse të monitoruara në këtë raport dhe institucione të tjera të linjës, përfaqësues të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasadës Suedeze, studentë e qytetarë të interesuar. Pjesë e panelit të ftuar ishin: Znj. Anola Xhuli- Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike, Komisioneri për të Drejtën e  Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale; Z. Enio Haxhimihali - Drejtor Kabineti, Institucioni i Avokatit të Popullit; Z. Antoine Avignon- Menaxheri i sektorit të Mjedisit, Energjisë, Infrastrukturës dhe  Mbrojtjes Civil, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri; Z. Rezart Kapedani – Manaxher Granti, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Shqipëri;  Znj. Ermelinda Mahmutaj – Drejtoreshë Ekzekutive, Qendra mjedisore EDEN e cila prezantoi raportin e hartuar. Moderimi u krye nga gazetari, Z. Ben Andoni.

Takimi u ndoq me diskutime nga organizatat mjedisore me raste konkrete të rëndësisë së njoftimit dhe konsultimit publik si dhe koordinatorët e njoftimit të pranishëm shtjelluan procedurën e ndjekur nga institucioni i tyre për njoftimin dhe konsultimin bazuar në ligjin përkatës.

Panelistët në vija të përgjithshme ndanë me të pranishmit eksperiencën e tyre me ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, si edhe theksuan rendësinë që ka ky ligj, mundësinë që i jep qytetarit për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse, si edhe rolin kyç që kanë organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore për të ndërgjegjësuar individët drejt mekanizmave ligjorë që janë në funksion dhe në dobi të qytetarëve.
Në këtë takim, u gjendën së bashku disa aktorë kyç të cilët ndikojnë dhe ndërveprojnë për respektimin dhe njohjen e ligjit, i cili i jep “zë” të drejtave të individit dhe fuqizon rolin thelbësor që secili nga ne ka në proceset vendimmarrëse.

Raport mbi zbatimin e Ligjit 146/2014 "Për njoftimin dhe konsultimin publik"
Fotografi të takimit në faqen facebook qendra EDEN
Video udhezuesi Altoparlant

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit "Perspektivë drejt integrimit në Bashkimin Evropian-Angazhim i qytetarëve aktivë dhe shoqërisë civile në politikat mjedisore“ i zbatuar nga Qendra EDEN, pjesë e programit "Shoqëri civile shqiptare për një mjedis Evropian – ACHIEVE”, zbatohet nga REC Shqipëri dhe financohet nga Bashkimi Evroprian në Shqipëri.