Natyrë – Folklor – Kulinari në Bashkinë Has
Me datë 27.09.2021, për Ditën Ndërkombëtare të Turizmit u zhvillua në Bashkinë Has panairi “Natyrë – Folklor – Kulinari. Has porta më e rë e turizmit ndërkufitar” një bashkëorganizim midis qendrës mjedisore EDEN dhe Bashkisë Has.
Panairi i organizuar në shëshin "Pjetër Bogdani", përpara Bashkisë Has synon të promovojë Hasin dhe rajonin për vlerat natyrore, traditën, kulturën, energjinë dhe shpirtin e tij.
Më shumë se 20 fermerë, artizanë, nga Hasi, Kukësi, dhe Komuna Klinë paraqitën produktet e tyre duke përcjellë dhe më shumë rëndësinë e bashkëpunimit dhe të promovimit të vlerave ndërkufitar për zhvillimin e turizmit. Ky panair vjen edhe më i veçantë pasi promovon dhe praktikat e gjelbra të Bashkisë Has. Në kuadër të projektit “KAPËRCIM I GJELBËR – drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente” mbështetur me fonde të Bashkimit Evropian në Bashkinë Has është realizuar një investim për ndriçimin publik duke e bërë më eficent. Llampat e jashtme janë zëvendësuar me llampa LED si dhe po zhvillohen trajnime për rritjen e kapaciteteve të bashkisë dhe banorëve për praktikat e gjelbra dhe shërbimet e ekosistemit.
Panairi u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë Has, Z. Liman Morina i cili nxiti që nisma të tilla për promovimin e zonës dhe zhvillimin e turizmit të zhvillohen sa më shpesh. Kjo pasi Hasi ka vlera ende të pa eksploruara të cilat duhet të reklamohen duke patur parasysh dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërkufitar me Komunën Klinë. Z. Morina përshëndeti dhe investimin inteligjent të realizuar në Bashki, ndriçim publik më eficencë me zëvendësimin e llampave të zakonshme me ato LED; planin e veprimit 5 vjeçar më të fundit të miratuar nga bashkia për Shërbimet e Ekosistemit
Prefekti i qarkut Z. Zenel Kuçana, theksoi se qarku i Kukësit ka nevojë që nisma të tilla të jenë të vazhdueshme për të forcuar midis nesh frymën dhe shpirtin e rajonit dhe për të nxitur investimet në zonë drejt praktikave të gjelbra.
Z. Aziz Desku Drejtor i Drejtorisë së Financave, Ekonomise dhe Zhvillmit, Komuna Klinë, shprehu kënaqësinë dhe nderin e tij për pjesëmarrjen në panair. Në kuadër të projektit të dyja bashkitë janë duke përforcuar bashkëpunimin midis tyre i cili do të shtrihet përtej dhe kohëzgjatjes së projektit.
Të pranishëm të tjerë në panair ishin nga Bashkia Tropojë, Bashkia Kukës, Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura Kukës, Përfaqësues nga Kosova, Ministria e Pushtetit Lokal, Organizata te shoqerise civile etj të cilët përshënden njëzëri zhvillimin rajonal dhe ndërkufitar sipas praktikave të gjelbra dhe sjelljen në vëmendje dy bashkitë Has dhe Klinë për praktikat e tyre deri tani.
Më tëj të gjithë të pranishmit patën mundësi që nëpërmjet shfaqies nga trupa artistike e Hasit, qëndrës kulturore, produktet e fermerëve dhe punët artizanale të vendosura në stenda të eksploronin më shumë natyrën, folklorin dhe kulinarinë e zonës.
Qendra EDEN dhe Bashkia Has falenderojnë të gjithë të pranishmit në këtë panair për energjinë e sjellë.
Ju mirëpresim në aktivitetet të afërta.
- Fotografitë e panairit mund ti ndiqni në facebook-un e qendrës EDEN sipas linkut këtu.
- Mbulim mediatik nga RTSH Kkukesi gjendet sipas linkut këtu
Panairi organizohet në kuadër të projektit ndërkufitar “Kapërcim i gjelbër– drejt ekonomisë së gjelbër vendore me investime inteligjente" i cili mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian zbatohet në Shqipëri nga Qendra mjedisore EDEN dhe Bashkia Has dhe në Kosovë nga Balkan Green Foundation dhe Komuna Klinë