Sidat dhe mundësitë e Konventës së Aarhusit
Në kuadër të Takimit të Palëve për Konventën Aarhus (18-22 tetor 2021) qendra EDEN pati kënaqësinë që të merrte pjesë në sesionet online paraprake të organizuara për këtë takim.
Në sesionin “Vlerësim i barrierave dhe mundësive për aktivistët mjedisorë të rinj duke përdorur Konventën Aarhus-it” organizuar nga rrjeti Youth and Environment Europe (YEE) dhe Byroja Evropiane e Mjedisit (EEB) datë 12 tetor 2021, qendra EDEN mori pjesë duke ndarë eksperiencën e saj në zbatimin e konventës në Shqipëri. Lira Hakani nga qendra EDEN e përqëndroi prezantimin e saj në rëndësinë që ka konventa e Aarhusit, duke theksuar se ka nevojë në mënyrë të vazhdueshme për informim dhe ndërgjegjësim të të rinjve, banorëve në përgjithësi, por dhe vetë organizatave.
Lira Hakani u shpreh: “Konventa e Aarhusit është konventa më e rëndësishme në sektorin mjedisor. Tashmë kjo konventë vjen dhe më shumë në vëmendje duke qenë mjedisi në një moment kritik, dhe ndikimet janë afatgjata në shëndetin dhe jetën sociale të njerëzve. Të gjithë kemi të drejtë të informohemi, të marrim pjesë në proceset vendimmarrëse dhe ti drejtohemi gjykatës dhe kjo na sigurohet nëpërmjet konventës. Të rinjtë përtej protestave, marshimeve, duhet të dinë të përdorin Konventën në mënyrë që çështjet e mjedisit të ngritura të paraqiten dhe në mjedise të tjera. Organet qeveritare duhet ti shikojne të rinjtë si një aset dhe jo pengues të politikave të tyre, duhet të zhvillohet fryma e bashkëpunimit dhe të kuptohet roli që ka secili aktor që përdor Konventën e Aarhusit për të siguruar një mjedis më të qëndrueshëm"
Takimi vijoi duke prezantuar raste konkrete të shkeljes së të drejtës së informimit, të drejtimit të çështjeve në gjykatë. Pjesëmarrësit edhe pse nga vende të ndryshme paraqitën realitete të ngjashme ne vendet e tyre, duke theksuar gjithmonë e më shumë rëndësinë e informimir dhe ndërgjegjësimit.