Letër drejtuar Ministres Kumbaros për Zonat e Mbrojtura

Tiranë më 19/10/2021

Drejtuar: Znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit
Për dijeni: Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura
Objekti: Kërkesë për takim me Ministren Kumbaro nga grupimi i 49 organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit lidhur me proçesin dhe përmbajtjen e draft-vendimeve të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura në Shqipëri.

E nderuara znj. Kumbaro,

Së pari, pranoni ju lutem urimet tona për detyrën e re duke shpresuar në një bashkëpunim të frytshëm midis jush dhe shoqërisë civile aktive në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit.

Së dyti, na lejoni që nëpërmjet kësaj letre, të kemi vëmendjen tuaj drejt diskutimit të së ardhmes së zonave të mbrojtura të vendit, që janë sot gjithnjë e më të kërcënuara prej investimeve të paqëndrueshme përreth dhe brenda tyre, investime të materializuara në formën e infrastrukturës së transportit, energjisë së ripërtëritshme, zhvillimit urban, bujqësisë intensive etj.

Ky diskutim nuk është aspak i ri për administratën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Është një diskutim i kahershëm, njëkohësisht shumë i rëndësishëm, por i lënë pezull që prej legjislaturës së shkuar.

Sikurse mund të jeni në dijeni, ne, përfaqësuesit e 49 organizatave të shoqërisë civile dhe të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit kemi shprehur që prej Tetorit 2019 kundërshtinë tonë për procesin dhe planet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për rishikim të kufijve, zonimit të brendshëm dhe statusit të Zonave të Mbrojtura të vendit e sidomos të atyre ligatinore bregdetare.

Kundërshtimi ynë është shprehur në të gjithat format e mundshme të komunikimit me administratën përfshirë takime me stafin e Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, takime të hapura me praninë e Ministrit Klosi, takim të ngushtë me anëtarë të kabinetit të ministrit, letra të grupimit të OJF-ve, qëndrime të OJF-ve në konferenca shtypi, takime të organizuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit etj. Për fat të keq, asnjë nga komunikimet tona me shkrim me Ministrinë nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, të ftuar në takimin më të fundit të datës 28.07.2021, në Tiranë, ne, grupimi i 49 OJF-ve dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, cilësuam se proçesi i ndjekur për të mbërritur në këtë takim ishte në kundërshtim të hapur me të gjitha kriteret ligjore për të qenë një konsultim publik, duke qenë se i gjithë proçesi u parapri nga mangësi të theksuara, të cilat cenojnë diskutimet dhe vendimmarrjen përfundimtare për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe tepër të ndjeshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Në mënyrë më konkrete ne theksuam se proçesi i këshillimit nuk është konform legjislacionit në fuqi. Kjo është treguar më së miri nga mosrespektimi i afateve në këshillim si dhe mungesa e një sërë dokumentacionesh që i kërkon ligji. Më konkretisht mungonin:

  1. mendimet e institucioneve akademike dhe shkencore për secilin projekt-vendim;
  2. mendimet me shkrim të bashkive brenda dhe rreth zonave të propozuara për secilin projekt-vendim;
  3. vlerësim i ndikimit në mjedis i proçeseve dhe kategorive të veprimtarive, të cilat mund ta kërcënojnë diversitetin biologjik për secilën projekt VKM;
  4. vëzhgimi i ndikimit social dhe ekonomik të popullatës vendore për secilin projektvendim;
  5. përshkrimi i masave kompensuese për secilin projekt-vendim;
  6. përshkrimi i masave zbutëse për secilin projekt-vendim;
  7. argumentimi për heqjen e statusit për secilin projekt-vendim dhe
  8. argumentimi i nevojës së ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës.

Gjithashtu ne ritheksuam se pasojat e rivlerësimit në Zonat e Mbrojtura janë tejet negative për larminë biologjike të tyre dhe atë kombëtare të shprehura në:

  1. Rrezikim të integritetit ekologjik të thuajse çdo ZM-je;
  2. Copëzim dhe fragmentarizim i thuajse çdo ZM-je;
  3. Rrezikim të habitateve dhe specieve të mbrojtura në disa nivele;
  4. Rrezikim të habitateve dhe specieve në zona Ramsar, IBA, KBA dhe Kandidate Emerald
  5. Rrezikim të larmisë biologjike në habitatet bujqësore pavarësisht rëndësisë së tyre për specie të mbrojtura dhe të rrezikuara në shkallë lokale, europiane dhe globale;
  6. Vendosjen zonave qendrore të cdo ZM-je nën presionin e aktiviteteve ekonomike të paqëndrueshme sikurse urbanizim, industrializim, infrastrukture transporti dhe bujqësi intensive dhe
  7. Krijimin e precedentit të rrezikshëm që sa herë të ketë interesa ekonomike të paqëndrueshme, ZM-të do të tkurren për ti lënë vend këtyre zhvillimeve.

Nisur nga sa më sipër. ne kërkuam në vijim, nëpërmjet letrës sonë të datës 30.07.2021 që Ministria të mos propozojë ndërkaq asnjë ndryshim në rrjetin aktual të Zonave të Mbrojtura pa studime të detajuara dhe pa argumentet e duhura për secilën zonë. Po kështu, theksuam se nëse Ministria nuk ndjek këtë qasje, me shumë keqardhje, ne, 49 organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, do ta cilësonim çdo proçes jo të ligjshëm, nuk do ta pranonim proçesin dhe vendimmarrjen si dhe ta ankimonim këtë proçes dhe vendimmarrje si nga ana proçeduriale dhe po kështu përmbajtësore.

Së fundi, ne besojmë se çdo vendimmarrje e ardhshme duhet të kryhet në transparencë dhe në ndryshim të plotë nga vendimmarrjet e fshehta të mëparshme e sidomos ajo e KKT-së së datës 28 Dhjetor 2020. Mungesa e transparencës në këtë proçes është theksuar më parë edhe nga Delegaconi Europian në Shqipëri dhe donatorë të tjerë të rëndësishëm. Përfaqësues të tyre kanë konsideruar proçesin të papranueshëm dhe kanë kushtëzuar mbështetjen e mëtejshme financiare të programeve në fushën e mjedisit me një vendimmarrje të mirë-këshilluar dhe pa pasoja në larminë biologjike të zonave të mbrojtura e më gjerë. Ky deklarim është një ogur jo i mirë dhe një pengesë serioze për integrimin europian të Shqipërisë.

Megjithë mangësitë e proçesit të ndjekur deri më sot, mbetemi me shpresë se Ministria dhe ne, grupimi i 49 organizatave aktive në fushën e mjedisit dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, kemi ende kohë të punojmë së bashku për të përmirësuar proçesin dhe vendimmarrjen e mundshme. Për të arritur këtë synim të përbashkët, ne kërkojmë një takim këshillimor me Ju Znj. Kumbaro, mundësisht brenda dy javëve, duke qenë të bindur se opinioni ynë, sidomos për tematika që lidhen me rivlerësimin e zonave të mbrojtura, është i domosdoshëm dhe i mirëpritur në këtë legjislaturë të re.

Falemnderit,

Lista e nënshkruesve:
1. Agjencia e Demokracisë Vendore Shqipëri (LDA Albania )
2. Albanian National, Professional, Business Women and Crafts' Association (SHGPAZ)
3. Albanian Ornithological Society (AOS)
4. Birds of Albania
5. Community Reporters Albania
6. FOUR PAWS
7. Grupi ATA
8. Grupimi Mbro Parkun Kombëtar Zall Gjocaj,
9. Help – Hilfe zur Selbsthilfe
10. ILIRIA – Protection and Social & Environmental Development Association, Albania
11. Institute for Environmental Policy, Albania (IEP)
12. Institute for Habitat Development (Co-Plan)
13. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
14. Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit
15. Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome
16. Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza (LKGV)
17. Milieukontakt Albania
18. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
19. Qendra “Gratë në Shërbim Publik”
20. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)
21. Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë” Shkodër
22. Qendra e Këshillimit te Grave dhe Shërbimeve Sociale Kukës (WCSSC)
23. Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (NCCS)
24. Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER)
25. Qendra Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN)
26. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
27. Qendra për ruajtjen e ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
28. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA)
29. Qendra për Zhvillim Komunitar "Sot për të Ardhmen"
30. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD)
31. Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes (ACFD)
32. Qendra TREJA
33. Qendra UJA
34. Qendra Vatra
35. Red Tree Heritage Institute Slovenia
36. Resource Environmental Centre, (REC Albania)
37. Respublica
38. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
39. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive
40. Sustainable Urban Planning Organization
41. Shoqata “Well Point” Kujdes për të gjithë
42. Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”
43. Shoqata GCA
44. Shoqata Gender, Paqe e Siguri
45. Shoqata Unë, Gruaja
46. Shoqata “Together for life”
47. Të bashkuar Pro Kauzës LGBT (Pro LGBT)
48. Women’s Democracy Network Albania (WDN Albania)
49. WWF Adria – Zyra për Shqipërinë

1. Prof. Aleko Miho
2. Prof. Ferdinand Bego
3. Prof. As. Mihallaq Qirjo
4. Prof. Spase Shumka

Kërkesë për takim me Ministren Kumbaro nga grupimi i 49 organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit lidhur me proçesin dhe përmbajtjen e draft-vendimeve të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura në Shqipëri