Menaxhimi e mbetjeve spitalore

Vigjilenca mjedisore ngre në vëmendje menaxhimin e mbetjeve spitalore.

Ermelinda Mahmutaj, Qendra EDEN.

20% e mbetjeve spitalore janë të kategorizuara si mbetje të rrezikshme dhe në momentin që këto mbetje janë në kontakt me objekte të tjera, edhe këto objekte konsiderohen po njësoj. Rrjedhimisht në realitetin shqiptar, në momentin kur jemi dëshmitarë të faktit që mbetjet spitalore përfundojnë në koshat e mbetjeve urbane, kuptojmë se të flasim vetëm për menaxhim të këtyre të fundit devijojmë nga realiteti dhe detyrimisht e trajtojmë atë në mënyrë të fragmentuar.

Për herë të parë, tematika e menaxhimit të mbetjeve spitalore ngrihet në vëmendje të publikut dhe vendimarrësve nga shoqëria civile mjedisore.  Ajo u trajtua si vigjilencë e kontratave të shërbimit të ofruar për trajtimin e tyre nga rrjeti i vigjilencës mjedisore “Një sy për mjedisin!” nëpërmjet një sondazhi me subjektet prodhuese të mbetjeve spitalore.   Kjo metodë na krijoji mundësinë që zinxhiri i sistemit të menaxhimit të mbetjeve të zbërthet dhe analizohet në çdo hallkë të tij.

Gjetjet nga kjo nismë, tregojnë për një situatë kaotike në menaxhimin e mbetjeve spitalore, dhe të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin ku jetojmë.  Ato u përmblodhën në raportin tregues mbi vlerësimin e situatës aktuale të menaxhimit të mbetjeve spitalore në 5 qytete të vendit, Shkodër, Fushë-Krujë, Elbasan, Berat dhe Vlorë. Raporti është faktik dhe objektiv. Ai kalon përtej identifikimit të gjendjes aktuale kaotike, duke u detajuar në arsyet se si është arritur në këtë gjendje, dhe përfaqëson të parin e këtij lloji në këtë sektor http://eden-al.org/v2/index.php/al/publikime/botime

Rrjeti vigjilues ka punuar që ky raport të shihet i vlefshëm dhe të nxisë reagimin e institucioneve përgjegjëse për inspektimin e subjekteve të liçensuara për prodhimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore; po aq sa edhe shpresojmë në një reflektim të të gjithë këtyre subjekteve përkundrejt zbatueshmërisë së ligjit dhe kujdesit në ruajtjen dhe trajtimin e kësaj kategorie të mbetjeve.  Nxisim që kjo nismë të mbështetet nga aksione të vazhdueshme, jo vetëm të ndërmarra nga shoqëria civile, por mbi të gjitha nga  mekanizmat qeveritarë në kuadër të strategjive përkatëse të zhvillimit, që vendi ynë të kornizohet sa më shpejt brenda kërkesave të Bashkimit Evropian për administrimin e mbetjeve spitalore.

87% e subjekteve prodhuese të mbetjeve spitalore përgjigjen që i njohin detyrimet ligjore që duhet të përmbushin në sektorin ku punojnë, por ndërkohë pjesa më e madhe e tyre nuk i zbatojnë ato. 27% e tyre nuk janë të pajisur me leje mjedisore dhe 64% e tyre nuk i administrojnë mbetjet spitalore që prodhojnë, por më e keqja e konstatuar është se e gjithë kjo ndodh në të shumtën e rasteve me vullnet dhe dëshirë të plotë. Duhet të përmendim se ka përpjekje sporadike për vullnet të mirë dhe ndërgjegjësim sikundër është rasti i bashkëpunimit me spitalet; apo rasti i subjekteve që kontraktojnë për shërbimin e trajtimit të këtyre mbetjeve edhe pse përfaqësojnë vetëm 32%.

Kontraktimi i shërbimit për trajtimin e mbetjeve spitalore ka filluar në vitin 2004 dhe pjesa më e madhe e kontratave janë lidhur vetëm në vitin 2011 dhe 2014; edhe pse subjektet prodhuese pjesë e këtij studimi kanë filluar të operojnë brenda harkut kohor 1945 – 2014. Janë 10 subjekte të liçensuar për trajtimin e mbetjeve spitalore në vend, por ndërkohë mbetjet farmaceutike nuk trajtohen nga asnjë nga kompanitë e liçensuara si rezultat i mungesës së infrastrukturës.

Në të ardhmen e afërt, shpresojmë në dialog dhe shumë diskutime mbi tematikën në mënyrë që ajo të marrë rendësinë që i takon në panelet e diskutimt dhe në investimet konkrete në vend.

Rrjeti i vigjilencës mjedisore “Një sy për mjedisin!” është ngritur në kuadër të projektit “Së bashku një sy për mjedisin!” dhe mbështetet financiarisht nga  REC Shqipëri nëpërmjet programit SENiOR-A i financuar nga Ambasada Suedeze.
 
Organizatat anëtare:

  • Kulbi Ekologjik Elbasan, Elbasan
  • Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore, Berat  
  • Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër, Shkodër
  • Qendra per Kërkim Bashkëpunim dhe Zhvillim (CRCD), Vlorë
  • Qendra Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN), Tiranë
  • Shoqata në Mbrojtje të Jetës dhe Ekosistemit përreth fabrikës Titan – Burizanë, Fushë - Krujë

 

Attachments:
FileDescriptionFile size
Download this file (Raporti i mbetjeve spitalore_EDEN.pdf)Raporti i mbetjeve spitalore_EDEN 1419 kB