Takimi hapës i projektit të ri të mbështetur nga BE
Takimi hapës i projektit më të ri të financuar nga BE, në zbatim nga Qendra EDEN dhe EDMI.
Në datën 01 Korrik, Qendra EDEN dhe EDMI zhvilluan takimin hapës të projektit “Fuqizimi i aktivizimit dhe kontributit të Organizatave të Shoqërisë Civile në integrimin e Shqipërisë në BE“, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA 2017. Në takim morrën pjesë aktorë kyç të përfshirë në advokimin dhe zbatimin e politikave të gjelbërta dhe energjitike në vend, si përfaqësues të OShC-ve mjedisore, ekspertë mjedisi, dhe përfaqëues të autoriteteve.
Projekti “Fuqizimi i aktivizimit dhe kontributit të Organizatave të Shoqërisë Civile në integrimin e Shqipërisë në BE” (e-ACT) i cili sapo ka nisur, do të zbatohet për një periudhë 18 mujore në Shqipëri, dhe synon të forcojë rolin vigjilues dhe partneritetin e OShC-ve, për të rritur forcimin e zbatimit të politikave të rikuperimit të energjisë dhe të gjelbërta përmes monitorimit të drejtpërdrejtë dhe dialogut politik në kuadër të kornizës së para-anëtarësimit. Tre kolonat kryesore të këtij projekti, që do të mundësojnë arritjen e këtij qëllimi janë:
• Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm dedikuar OSHC-ve për zhvillimin e një platforme që mundëson dialog konstruktiv me institucionet qeverisëse duke synuar përparimin e çështjeve dhe politikave për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
• Fuqizimi i bashkëpunimit të OSHC-ve dhe rolit vigjilues të tyre për nxitjen e zbatimit të politikave të gjelbërta dhe të rikuperimit të energjisë nëpërmjet monitorimit të drejtpërdrejtë në terren dhe dialogut politik në kuadër të kornizës së para-anëtarësimit
• Nxitje e vëmendjes dhe përgjegjësisë politike për të përafruar parimet e politikave të gjelbërta dhe rikuperimit të energjisë të direktivave përkatëse, në kornizat ligjore të vendit
Në takimin hapës të projektit, ekipi i përbashkët i projektit prezantoi qëllimin dhe përqasjen e projektit, ku në vazhdim u ndoq nga një sesion ndërveprues me grupet e synuara të projektit, kryesisht përfaqësues të OSHC-ve mjedisore me qëllim njohjen e nevojave dhe interesave të këtyre grupeve për t'u adresuar përgjatë zbatimit të projektit. Në pjesën e parë të këtij sesioni, u prezantua koncept-ideja e platformës interaktive, veçanërisht përmbajtja, funksionimi, seksionet dhe temat që do të mbulohen në platformë. Ndërsa, në pjesën e dytë të këtij sesioni, përfaqësuesit e OSHC-ve mjedisore por jo vetëm, identifikuan përparësitë, dobësitë, mundësitë dhe pasiguritë që organizatat kanë në strukturat e tyre të brëndshme dhe punën e tyre advokuese me politikat e gjelbërta dhe energjitike.
Falenderojmë pjesëmarrësit e përfshirë në takimin hapës të projekit “e-ACT”, dhe në vazhdim ju ftojmë të qëndroni vigjilentë për t’u angazhuar në aktivitetet vijuese të projektit, të cilat do të ofrojnë mundësi angazhuese dhe kapacitet-ngritëse për aktorët e OShC-ve.
Takimi hapës i projekti e-ACT vjen si pjesë e projektit “Fuqizimi i aktivizimit dhe kontributit të Organizatave të Shoqërisë Civile në integrimin e Shqipërisë në BE“, në zbatim nga Qendra mjedisore EDEN dhe EDMI, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA 2017.