Tryezë e rrumbullakët në Shkodër dhe Elbasan në kuadër të projektit “Zgjedhjet qëndrore 2013...Jepini Shqipërisë një zhvillim të qëndrueshëm”
Në kuadër të projektit “Zgjedhjet qëndrore 2013...Jepini Shqipërisë një zhvillim të qëndrueshëm” mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Kooperimi Austriak për Zhvillim, qendra EDEN në bashkëpunim me Qendrën e Informacionit Aarhus Shkodër, Klubin Ekologjik Elbasan, Natyra Berat dhe Në mbrojtje të jetës dhe ekosistemit në zonën përreth fabrikës Titan-Burizan Fushë-Krujë, organizuan dy tryeza të rrumbullakëta “Përmirësimi i mjedisit, prioritet i partive politike” më datë 11 qershor në qytetin e Shkodrës dhe 13 qershor në qytetin e Elbasanit.
Në këto tryeza ishin të ftuar të merrnin pjesë të gjitha forcat politike të pranishme në Qarkun Shkodër, Durrës, Berat dhe Elbasan me përfaqësuesit kryesorë për deputetë, shoqëria civile, qytetarët e thjeshtë, mediat lokale, mësues, nxënës etj.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte prezantimi i punës së realizuar nga koordinatorët lokalë të këtij projekti në lidhje me problematikat kryesore mjedisore në këto qarqe të identifikuara dhe ofrimi i alternativave zbutëse apo përmirësuese të këtyre shqetësimeve në programet elektorale të partive.
Tryezat u hapën me fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të qendrës EDEN dhe të koordinatorëve lokal duke prezantuar disa prej problematikave mjedisore që janë evidentuar në qytetin e tyre. Më pas ata shprehën vështirësitë e hasura gjatë zbatimit të fushatës si dhe përshtypjet e fituara nga aktivitetet e realizuara me grupet rinore dhe takimet kokë më kokë me kandidatë të ndryshëm të partive politike.
“ Kur komuniteti ka informacion mbi çfarë ndodh, ai do të jetë shumë më i përfshirë në çështjet mjedisore dhe do të ndikojë shumë më tepër në ruajtjen e habitatit të tij. Qytetarët nuk e kanë idenë për forcën që kanë”, është shprehur përfaqësuesi i një partie politike, duke nënvizuar respektimin e Konventës së Aarhusit nga ana e Njësive të Qeverisjes Vendore si hap themelor i mbrojtjes së mjedisit.
Të gjithë kandidatët që ishin pjesë e dy tryezave të rrumbullakta u shprehën se mjedisi është një çështje madhore që nuk duhet anashkaluar më dhe se çdo kush nga ata do të filloj të punojë seriozisht dhe mbi të gjitha do të bëjnë çështë e mundur që ligjet mjedisore të fillojnë të zbatohen në mënyrë rigoroze.
Ata pohuan se të gjitha strukturat e shtetit duhet të bashkëpunojnë për të mbrojtur mjedisin dhe zbatimin e ligjeve.