Workshop me të rinjtë e Kuçovës mbi rrjetëzimin!

Më 22 shkurt 2013, si zhvillim i projektit “Për qytete të pastra dhe një hap drejt një shoqërie demokratike” qendra EDEN    organizoi një workshop mbi rrjetëzimin me Grupin Rinor të Kuçovës . Të pranishëm në këtë organizim ishin rreth 30 nxënës të cilët patën mundësi që të krijonin apo dhe të thellonin njohuritë e tyre mbi konceptin e rrjetëzimit. Të rinjtë u njohën me disa nga rrjetet mjedisore ku qendra EDEN është anëtare dhe me mundësinë e përfshirjes dhe të Grupit Rinor Kucovë në këto struktura informacion ndarëse.

Takimi filloi me një lojë domethënëse ku nxënësit u rrjetëzuan ndërmjet tyre vetëm duke ndarë interesat dhe qëllimet e përbashkëta për këtë takim. Gjithçka u bë më ndërvepruese nëpërmjet një lidhjeje direkte me internet me sekretaren e përgjithshme të rrjetit YEE ,me seli në Pragë, Republikën Ceke, e cila shpjegoi më nga afër se si funksionon një rrjet dhe kriteret që nevojiten për t’u bërë pjesë e rrjetit YEE ku dhe qendra EDEN është anëtare. Të rinjtë dukë u bazuar dhe në informacionin e fituar gjatë pjesës së parë të workshopit, zhvilluan një punë grupi ku paraqitën profilet e rrjeteve që kanë bashkëpunuar dhe me të cilat ata dëshirojnë të bashkëpunojnë për të forcuar më shumë  grupin e tyre. Për të konkretizuar edhe më shumë gjithçka rreth rrjetëzimit, guidat natyrore të qendrës EDEN shprehen eksperiencën e tyre se çfarë i shtyu ata për t’u përfshirë në qendrën EDEN dhe për të qenë pjesë e një rrjeti të rrinjsh të cilët ndajnë të njëjtin qëllim për mjedisin.
Takimi u përmbyll duke vendosur një kontakt ndërmjet vullnetarëve të qendrës EDEN dhe Grupit Rinor Kuçovë, pra duke ndërtuar një rrjet të ri.

Projekti “Për qytete të pastra dhe një hap drejt një shoqërie demokratike” zbatohet nga qendra EDEN në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë Kuçovë dhe me mbështetje financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci, Sektori i Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SH.B.A-së në Tiranë.

 

Ndiqni fotografite e aktivitetit ne facebook