Organizatat e shoqërisë civile reagojnë menjehere ndaj prishjes se Kopshtit Botanik në Tiranë
Tiranë, Shqipëri – Plot 33 organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, i drejtohen sot Z. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërise me një letër të hapur për të ndaluar shkatërrimin e Kopshtit Botanik në Tiranë. Ky institucion me vlera kombëtare shkencore, studimore dhe shlodhëse rrezikon të prishet nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, punimet për të cilën kanë filluar dy ditë më parë.
“Patëm reagimin e menjëhershëm të shumë organizatave nga e gjithë Shqipëria dhe ende tani, pasi letra është dërguar, shumë të tjera japin mbeshtetjen e tyre” – thotë Ermelinda Mahmutaj nga Qendra EDEN, një nga organizatat mbështetëse të letrës drejtuar Kryeministrit.
Në këtë letër oranizatat theksojnë rëndësinë e Kopshtit Botanik si dhe kërkojnë zbatimin e proceseve transparente në ndërimin e projektit te Unazës së Madhe të Tiranës. Gjatë planifikimit të projektit, sipas legjislacionit Shqiptar në fuqi, duhet të përfshihen në vendimarrje palët e interesuara e sidomos vetë Kopshti Botanik e Univeristeti i Tiranës që preken drejt për drejt nga ky investim.
“Nese autoriteti i një vendi varet nga vlerat që i trashëgon nga njeri brez në tjetrin, ateherë Kopshti Botanik është një vlerë e tillë, që jo vetem duhet mbrojtur, por duhet përmiresuar akoma më shumë” – thotë Petrit Hoda, përgjegjës i Kopshtit Botanik
Projekti aktual i Unazës së Madhe të Tiranës është i dyti i përgatitur për të njëjtin qëllim. Projekti i parë, i promovuar nga Bashkia e Tiranës, studimi i të cilit është financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shkurt të vitit 2009 e prek Kopshtin Botanik vetëm në pjesën e gardhit. Projekti i dytë, i përgatitur në Gusht 2010 e aktualisht i vlefshëm, i promovuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dëmton 25% të territorit të Kopshtit Botanik. Në të dyja këto projekte ka munguar proçesi i konsultimeve me publikun, ose ai nuk ka qënë i plotë.
“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të Unazes se Madhe të Tiranës dhe mendojmë se ky projekt do të ndikojë pozitivisht në lehtesimin e trafikut dhe cilësinë e ajrit në Tiranë. Megjithate, Kopshti Botanik është një kosto shumë e lartë për t’u paguar. Në kërkojmë që të shqyrtohen alternativa të tjera të ndërtimit të kësaj vepre pa prekur integritetin territorial të Kopshtit Botanik Kombëtar” - thotë Anisa Xhitoni nga Qendra EDEN.
“Cilido nga projekt e përgatitura, përpara se të nisë zbatimin, duhet të konsultohet së pari me palët e interesuara, e sidomos me autoritet e Univeristetit te Tiranës e të Kopshtit Botanik, gjë e cila deri me sot nuk ka ndodhur” – shton ajo.
Kopshti Botanik i Tiranës është themeluar në vitin 1971 dhe zë një sipërfaqe prej rreth 15 ha. Në të rriten rreth 1.400 lloje dhe nënlloje bimore, kryesisht të vendit tonë. Ai, sebashku me Herbarin Kombetar dhe Muzeun e Shkencave te Natyres janë pjesë e të vetmit Institut Studimor të Florës dhe Faunës në Shqipëri.