Konsultimi me publikun zbulon projektin zhgënjyes të Unazës së Madhe të Tiranës
Konsultimi i parë me publikun mbi projektin aq shumë të përfolur të Unazës së Madhe të Tiranës u mbajt sot pranë Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Kjo konsultë mbahet 15 ditë pas fillimit të punimeve që shkatërruan 1 ha nga Kopshti Botanik në Tiranë.
Projekti i paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve u përball me kritika mjaft të ashpra nga të pranishmit në takim, të cilët vunë theksin mbi mungesën e një studimi të thellë dhe të azhornuar. Ai nuk llogarit emetimet në ajër, në ujë dhe prodhimin e zhurmave gjatë fazës së ndërtimit dhe funksionimit kur automjetet e tonazhit të rendë do të kalojnë në rrugën me 8 korsi. Për më tepër projekti bazohet në planet urbanistike të vitit 1989. Në atë kohë zona e Komunës së Parisit, ku planifikohet të kalojë rruga, ka qënë gati e pabanuar ndërsa sot ajo përbën një nga zonat me densitet më të lartë të popullsisë në Tiranë.
Studimi mjedisor (VNM) i projektit u kritikua gjithashtu së bashku me tërë procesin e konsultimeve. Të pranishmit e konsideruan studimin shumë të keq përgatitur më gabime dhe gafa të rënda.
Si mund të shkruash për plantacione gruri, misri dhe bimë foragjere në një zonë ku ka vëtëm pallate dhe një Kopësht Botanik? Këto gafa në raport tregojnë vetëm se sa i dyshimtë dhe joserioz është ky studim – thotë Liri Dinga, profesore e Fakultetit të Shkencave të Natyrës e cila ka punuar në kopshtin Botanik për më shumë se 40 vjet.
OJQ-të mjedisore të pranishëm e kundërshtuan gjithashtu procesin e konsultimeve bashkë me cilësi të ulët të studimit mjedisor. Sipas përfaqësuesëve të Qendrës mjedisore EDEN nuk i është lënë kohë e mjaftueshme publikut për t’u njohur të studimi, pasi ky i fundit u bë publike vetëm pak ditë para se të mbahej konsultimi.
Në fillim presin pemët dhe me pas kthehen e organizojnë konsultime me publikun. Sipas legjislacionit shqiptar studimi VNM i duhet vënë në dispozicion publikut për plot një muaj, ndërsa në këtë rast janë lënë vetëm gjashtë ditë. Për më tepër VNM-ja e paraqitur nuk është e plotë dhe vetë përpiluesi, Z. Sazan Guri, pranoi se ai nuk ka patur kohë të mjaftueshme për ta përfunduar atë. Ne nuk e kuptojmë gjithë këtë nxitim, por ligji është i qartë dhe qeveria duhet ta respektojë atë - thotë Elona Saro nga Qendra EDEN.
Projekti aktual i Unazës së Madhe të Tiranës, vlerësimi mjedisor si dhe i gjithë procesi u kundërshtuar fuqishëm nga publiku, profesorë, teknikë dhe organizatat e shoqërisë civile. Të gjithë kërkuan kohën e nevojshme që një investim të tillë i rëndësishëm dhë shumë i shternjtë të studjohet dhe planifikohet mirë e në përputhje me rrethanat aktuale. Është ende për tu parë nëse Ministria e Mjedisit do vazhdojë të konsiderojë dhenien e dritës së gjelbër për projektin në këtë fazë.