Një takim mes miqsh që ka shumë falenderime për të bërë!
Ju na dhuruat emocione të veçanta duke ndarë me ne eksperiencën tuaj dhe duke krijuar një atmosferë sa të ngrohtë dhe familjare për të cilën të gjithë kishim shumë nevojë.
Mbrëmja e 20 shkurtit, pranë Qendrës Kulturore Tulla, na kujtoi edhe njëherë që vetëm përmes vullnetit dhe dëshirës së gjithësecilit çdo kauzë e veshtirë ose jo mund të arrihet nëse angazhohemi pa kushte për të.
“Kurrë mos dysho se një grup i vogël qytetarësh aktivë mund të ndryshojë botën; e vërteta është që vetëm ata e kanë arritur”- Margaret Mead -
Jo rastësisht kjo ishte edhe motoja e aktivitetit tonë në formatin “Green Drinks”, për të theksuar edhe njëherë që përfshirja e vogël e çdo individi në çështje që na prekin dhe në të cilat besojmë, bëhen përfshirja e madhe e të gjithëve ne në realitetin ku jetojmë e më gjerë.
Interesi dhe lëvizja gjithnjë e në rritje e të rinjve dhe qytetarëve aktivë për çështje të ndryshme, por veçanërisht për tematikat mjedisore i dha spunton dhe idenë Qendrës EDEN për të organizuar një aktivitet-takim miqësor duke dalë nga formati i aktiviteteve të zakonshme dhe duke pasur si aktorë kryesorë pikërisht të rinjtë dhe qytetarë pasionantë të cilët veprojnë dhe kërkojnë të integrohen gjithnjë e më shumë në çështje që kalojnë kufijtë e një zone të caktuar. Përmes këtij aktiviteti më shumë se 60 të pranishëm patën mundësinë të njiheshin nga afër me njeri-tjetrin, të shkëmbenin kontaktet e tyre dhe të mund të forconin urat e komunikimit dhe të bashkëpunimit në çdo sferë të interesit të përbashkët në vazhdimësi.
Krijimi i një komuniteti mjedisor jo vetëm brenda Shqipërisë, ishte qëllimi për të cilët të gjithë të pranishmit ishin të ndërgjeshëm, e kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe është linja dhe kërkesa kryesore që Qendra EDEN synonte dhe synon të arrijë në vazhdimësi.
Në qëndër të skenës u vendosën studentët, të rinjtë, vullnetarë të Qendrës EDEN dhe çdo qytetar që ndau me të pranishmit eksperiencën e vet dhe mënyrën sesi secili e sheh dhe e percepton mjedisin dhe aktivizmin. Takimi u la i lirë për të ngritur pyetje, folur, diskutuar, për tu njohur më shumë me njeri-tjetrin dhe për tu parë së bashku përmes sysh-femijësh, që më shumë se kushdo tjetër, përpiqen, besojnë dhe arrijnë. Mesazhet që çdo individ përcolli ishin sa të sinqerta po aq edhe frymëzuese për të gjithë.
"Realiteti është i korruptuar, edhe mjedisi brenda tij, ndaj lufta dhe aktivizmi duhet të jetë i fortë dhe i qëndrueshëm në kohë!"
"Lufta mjedisore kërkon shpirt, jo gjithmonë fonde!"...
Ju i ndatë këto mesazhe dhe shumë të tjera gjatë takimit, të cilat të gjithë të pranishmit i vlerësuan dhe duke nxitur frymëzimin për punën dhe angazhimin tonë të përbashkët në fushën e mjedisit.
Pjesëmarrësi dhe mbështetësi i vazhdueshëm i tematikave mjedisore, eksperti ligjor mjedisor, Enio Haxhimihali, e orintoi fjalën e tij drejt angazhimit të shoqerisë civile dhe kanaleve ndërlidhëse që duhet të ekzistojnë dhe të forcohen gjithnjë e më shumë mes organizatave dhe qytarëve aktivë.
Studentë e pedagogë, dashamirës së mjedisit, u përshinë në diskutime natyrshëm dhe me pasionin e vrullin e individëve që e duan mjedisin dhe ndiejnë nevojën e vazhdueshme të rrisin angazhimin e tyre si qytetarë aktivë, pjesëmarrës dhe vendimmarrës.
Organizata Eco Guerilla nga Tetova theksoi fort rëndësinë e madhe që ka çdo individ i veçantë dhe kontributin që qytetarët mund të japin jo vetëm brenda hapësirës së vogël së qytetit ku jetojnë. Arianit Xhaferri shfaqi përmes fotografisë e videos aktvizmin e qytetarëve në Tetovë ndaj një çështje mjaft delikate jo vetëm për mjedisin, por dhe për shëndetin si ndotja e rënduar e ajrit.
Përfaqësuesit e organizatave mjedisore, të rinjtë dhe të gjelbrit ndër vite e orientuan diskutimin mbi aktivizmin e shpirtin aktiv, luftën mjedisore që ka nevojë për më shumë kurajë, dëshirë e vullnet dhe mbi rritjen e angazhimit të qytetarëve duke e prekur dhe jetuar situatën nga afër, në terren, atje ku problemi ekziston dhe mund të zgjidhet realisht.Aktiviteti në sfond shoqërohej nga tinguj muzikorë dhe fotografi të Koncertë-Protestës të zhvilluar në Valbonë për të cilësuar dhe njëherë se përmes angazhimit individual, social e kulturorë sfidat e përbashkëta bëhen të prekshme dhe të realizueshme.
Falemnderit të gjithëve ju për pjesëmarrjen dhe urojmë të kemi qenë të frytshëm sado pak për njeri-tjetrin dhe të jeni argëtuar nën notat e muzikës së ëmbël dhe profesionalizmit të Venera Lumanit, Lind Islamit dhe Klodi Harunit që na shoqëruan me shumë dashuri.
Çdo kontribut i dhënë në këtë format të parë të organizuar nga ne, le të jetë frymëzim për takimet tona të ardhshme.
Fotografitë e aktivitetit mund ti shikoni në facebook-un e qendrës EDEN duke klikuar këtu
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit "Perspektivë drejt integrimit në Bashkimin Evropian-Angazhim i qytetarëve aktivë dhe shoqërisë civile në politikat mjedisore“ i zbatuar nga Qendra EDEN, pjesë e programit "Shoqëri civile shqiptare për një mjedis Evropian" (ACHIEVE) zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit Shqipëri (REC Shqipëri) dhe financohet nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.