Cilat janë burimet e ndotjes nga plumbi?
Plumbi ka gjetur përdorim pavarësisht aftësisë së tij helmuese në shumë produkte të përditshme. Të gjitha këto produkte shërbejnë si burim toksiciteti që ndot në mënyrë të vazhdueshme mjedisin dhe për rrjedhojë bie në kontakt me njeriun. Produktet e plumbit vazhdojnë të gjejnë përdorim sepse është përdorur për një kohë shumë të gjatë dhe është e vështirë që të ndryshohet diçka që ka zënë vend dhe për më tepër e ka ndihmuar njeriun që të revolucianizojë teknologjinë e tij. Për herë të parë plumbi është zbuluar 7000 vjet para Krishtit. Sigurisht që në atë kohë toksiciteti i tij nuk njihej. Vetëm pas 1970 në Amerikë filloi t’i jepej rëndësi problemeve të shëndetit që shkaktoheshin prej pranisë së plumbit. Në krye të 2 dekadave Amerika filloi të shihte pwrfitimet e ndalimit të plumbit. Evropa e ndaloi me ligj në vitin 2000 përdorimin e plumbit. Për të bërë kontrastin me vendin tonë, shqiptarët kanë nisur të ndërgjegjësohen për toksicitetin e plumbit (por jo të marrin masa për të) pas vitit 2010. Pra ne nuk kemi kohë për të humbur.
Një nga produktet më të përdorura është karburanti. Plumbi ka gjetur funksion në përbërjen e benzinës ku ndihmon motorin e makinës të mos konsumohet nga djegia e pabarabartë e benzinës. Djegia e benzinës me plumb bën që plumbi të lëshohet si blozë dhe tym duke ndotur ajrin dhe duke i shtruar rrugën për në mushkëritë e njerëzve. Sigurisht që ka qenë revolucionare për kohën, por me nivelin e tanishëm të teknologjisë alternativa të tjera janë të mundura. Plumbi mund të zëvendësohet nga një përzierje e etanolit 20%. Gjithashtu tani përdorimi i makinave me benzinë ose naftë sa vjen e zvogëlohet duke iu drejtuar përherë e më tepër pajisjeve elektrike të cilat janë tërësisht miqësore me mjedisin. Mbas ndalimit të plumbit në 1970 në Amerikë, në 1990 u vu re një rënie në aktivitetin kriminal në vend. Kjo i hapi rrugën studimeve që bënë lidhjen midis plumbit dhe agresivitetit.
Produkt tjetër ku përdoret plumbi janë bojërat. Kjo është tema dhe fokusi i vitit 2020. Plumbi gjendet në bojëra pasi vetitë e tij i japin bojës mundësinë të thahet shpejt, të jetojë më gjatë, të duket si bojë e sapo lyer në pamje, etj. Boja gjendet në shtëpitë tona, në këndet e lojërave, në murale apo gjithçka tjetër që mund të lyhet. Me vjetërsimin e bojës ajo thërrmohet dhe në formën e pluhurit ndot tokën dhe ajrin. Po ashtu kontakti që kanë njerëzit apo fëmijët e tyre me sipërfaqe të lyera me bojëra plumbi bën që trupi i tyre ta përthithë në sasi të vogla dhe ta mbledhë në sistem. Për këtë arsye në Amerikë nuk është e këshillueshme të jetohet në shtëpi të ndërtuara para 1970 kur boja e plumbit përdorej akoma lirisht.
Duke qenë se përmendëm disa herë ndotjen e tokës dhe ajrit, kjo do të thotë që ne e kemi prezantuar plumbin me natyrën. Tashmë plumbi është bërë pjesë e natyrës duke u futur në zinxhirin ushqimor ku bëjmë pjesë edhe ne. Njësoj si mikroplastika, edhe plumbi qarkullon nga njëra specie në tjetrën duke shkaktuar probleme në trurin e tyre dhe në fund si gjithmonë përfundon tek njeriu.
Produktet kozmetike janë përsëri të prekura nga plumbi. Sikurse thamë, aftësia e plumbit për të ruajtur ngjyrat është shumë praktike gjë që e ka bërë të gjejë vend edhe në produkte kozmetike si bojërat e flokëve. Pavarësisht se plumbi gjendet në sasi shumë të vogla, mjekët e kanë bërë të qartë se nuk ka një nivel të sigurt plumbi. Kjo lidhet me aftësinë akumuluese të tij të ngjashme me atë të mërkurit. Ekspozimi ndonëse në doza të vogla është shumë i dëmshëm nëse marrim parasysh aplikimin e gjerë të produkteve kozmetike nga njeriu.
Plumbi gjendet edhe brenda pothuajse të gjitha pajisjeve elektronike. Përdorimet e tij janë nga më të ndryshmet por këto pajisje janë të sigurta për tu përdorur. Problemi qëndron kur ato hidhen si mbetje dhe grumbullohen në landfille. Atje ato shpërbëhen duke ekspozuar plumbin ndaj mjedisit.