Padia kolektive e zbatuar ne tre qytete
Padia kolektive është një mjet ligjor nëpërmjet së cilit një organizatë jo-fitimprurëse mund të ngrejë një padi në Gjykatë në emër të një grupi personash të dëmtuar, për të përfituar dëmshpërblim për veprimet e paligjshme të një ndërmarrje të caktuar. Padia kolektive i garanton aksesin në Gjykatë të gjithë individëve që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për të nisur një proces gjyqësor për dëmet që i shkaktohen nga ndërmarrje të ndryshme, ose atyre që i duket me interes të vogël investimi në një proces të ndërlikuar dhe të gjatë.
Duke lexuar këtë përkufizimm të gjithë e gjejmë veten dhe të gjithë mendojmë një moment në të cilin padia kolektive do kishte ardhur në ndihmë për zgjidhjen e problemit që na ka prekur. Kjo është e mundur tashmë, por duhet vetëm të nxisim miratimin e këtij ligji në parlament dhe ta prioritizojmë atë në programin e diskutimeve.
Projekti "E drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm ka domosdoshmëri mekanizmin e padisë kolektive!" mbështetur financiarisht nga SOROS, ka për qëllim nxitjen e miratimit të projektligjit për paditë kolektive, për të forcuar angazhimin e banorëve në mbrojtjen e përbashkët të të drejtave të tyre mjedisore. Në kuadër të këtij projekti qendra EDEN ka zhvilluar përgjatë muajit tetor 2020 mbi 16 takime informuese dhe ndërgjegjësuese të banorëve për padinë kolektive. Këto takime janë zhvilluar në Tiranë, Berat dhe Shkodër në bashkëpunim me organizatat mjedisore "Për mirëqënie sociale dhe mjedisore" dhe "Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër". Takime janë përshtatur për tu zhvilluar në ambiente të hapura apo që lejonin ruajtjen e masave të COVID-19. Të gjithë pjesëmarrësit që ishin: të rinjtë e qyteteve, banorët në përgjithësi, përfaqësues të organizatave, shprehën përqasjen e tyre pozitive mbi këtë projekt ligj, për të nxitur miratimin e tij që kërkon mbledhjen e 20 000 nënshkrimeve të votuesve në Republikën e Shqipërisë. Projektligji i padisë Kolektive është gati për tu propozuar në parlament dhe miratimi i tij do të jetësojë kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe demokracinë.
Çështjet mjedisore të paraqitura nga të gjithë të pranishmit në këto takime lidheshin me ndotjen e ambientit, ujit, tokës, mbetjet etj. Në secilin qytet u zhvillua dhe një shkrim apo dalje në media të cilin ju mund ta shpërndani me miqtë tuaj.
Për më shumë:
Fotografi të takimeve ne tre qytetet gjenden në facebook të qendrës EDEN
Gazeta Shqiptare"Padia kolektive, mjeti i ri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të individëve"
Star Plus TV: Padia Kolektive mekanizmi qe duhet
Adria Net "Angazhimi i banorëve në mbrojtjen e përbashkët të të drejtave të tyre"
Fletepalosja informuese per padine kolektive pergatitur nga CR Partner