Ceremoni inagurimi investimi ne Has
Në datën 5 prill 2023 në Bashkinë Has u zhvillua inagurimi i investimit të standardit europian me 60 panele fotovoltaike në dy godinat publike të qytetit, në godinën e Bashkisë dhe në Qendrën Shëndetësore Krumë. Me anë të këtyre paneleve me fuqi 28kWp është tashmë e mundur reduktimi me 60% i faturës së energjisë elektrike për Bashkinë dhe deri në 90% për Qendrën Shëndetësore duke bërë një hap para drejt mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit në mënyrë eficente të burimeve energjetike.
Përveç kësaj, ndriçimi rrugor është më efiçent pasi është realizuar zëvendësimi i ndriçuesve të zakonshëm me 230 ndriçues LED 90W. Ndriçimi rrugor është përmirësuar ndjeshëm dhe përveç jetëgjatësisë së ndriçuesve, Bashkia do të shpenzojë më pak. Kjo është vërtetuar gjatë procesit të monitorimit, pasi Bashkia ka kursyer deri në 37% të buxhetit të dedikuar për ndriçimin rrugor.
Në takimin që u zhvillua, Kryetari i Bashkisë Z. Liman Morina u shpreh “Projekte dhe investime të tilla i shtojnë vlerë dhe zhvillojnë qytetin e Hasit, duke kursyer më shumë e duke gjetur mënyra efektive drejt ekonomisë së gjelbër”
Z Ilmi Lisha, Përgjegjës sektori të monitorimit të kompetencave vendore dhe funksioneve të deleguara, prefektura Qarku Kukës u shpreh se “Investime kaq të rëndësishme për zonën mundëson zhvillimin dhe rrit vëmendjen që duhet të marrin trojet tona”.
Znj. Ermelinda Mahmutaj, Drejtore e qendrës Mjedisore EDEN theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucione vendore dhe angazhimit të vazhdueshëm pë të qenë më afër standardeve europiane të zhvillimit.
Në takim u diskutua gjithashtu për vlerën e këtij projekti, për zonën dhe për investime të tjera që do të hapin rrugë drejt zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Në fund takimi u përmbyll me ceremoninë e prerjes së shiritit të investimit nga Kryetari i Bashkisë dhe nga Drejtoresha e Qendrës Mjedisore EDEN.
Me një dëshirë të madhe për ta kthyer politikbërjen në një mjet për të mbrojtur mjedisin, dhe biodiversitetin, Bashkia Has u angazhua për ta realizuar me sukses këtë projekt 3 vjeçar, duke dhënë kështu një shembull mjaft pozitiv për iniciativat që duhen ndërmarrë për ta integruar konceptin e ekonomisë e gjelbër me buxhetin.
Arritja e bashkëpunimit dhe nxitja për më shumë veprime dhe ndërhyrje proaktive duhet të përkrahet nga më shumë bashki, për të shkuar drejt zhvillimit bashkarisht dhe për të sjell inovacionin në shërbim të natyrës dhe trojeve tona.
Ceremonia e inagurimit, u zhvillua në kuadër të projektit ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian - IPA II "KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente". Projekti zbatohet nga Balkan Green Foundation në Kosovë dhe Qendra mjedisore EDEN në Shqipëri me partnerët e saj në pushtetin lokal Komuna e Klinës dhe Bashkia e Hasit.