Shkolla aktive për ndarjen e mbeteje!
Projekti më i ri i nisur nga qendra EDEN “Shkolla aktive për ndarjen e mbetjeve” synon të rrisi ndërgjegjësimin dhe njohuritë mjedisore të brezit të ri në Tiranë për rëndësinë e ndarjes së mbetjeve urbane dhe të rrezikshme. Projekti zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me dy shkolla në Tiranë, shkollën 9 vjeçare “Ali Demi” dhe me gjimnazin “Partizani”.
Çështja e mbetjeve është një nga çështjet mjedisore më problematike në Shqipëri. Si vijim nevoja për informim dhe ndërgjegjësim është një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve bazuar në mënyrë më specifike në informimin dhe ndërgjegjësimin për ndarjen e mbetjeve.
Projekti fokusohet në krijimin e një kulture të përbashkët në shkolla për ndarjen e mbetjeve, të përqëndruar dhe në informimin mbi mbetjet e rrezikshme që kanë një efekt negative në shëndetin e njeriut dhe në mjedis. Të rinjtë janë grupi i synyar i këtij projekti, të cilët nëpërmjet seancave informuese mbi mbetjet, do të nxisin procesin e ndarjes së mbetjeve në shkollat e tyre.
Qendra EDEN ka zhvilluar senancat informuese me nxënësit e dy shkollave, të cilat kanë synuar të përforcojnë njohuritë e të rinjve për mjedisin dhe të rrisin e ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësine e ndarjes së mbetjeve. Këtë informacion të marrë nxënësit do të kenë mundësi ta zbatojnë në praktikë, pasi secila shkolla do të pajiset me kosha për ndarjen e mbetjeve sipas informacionit të marrë.
Në vijim të këtyre sesioneve informuese nxënësit do të marrin pjesë në një konkurs të gjelbër për mjedisin dhe për ndarjen e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme.
Projekti “Shkolla aktive për ndarjen e mbeteje!”, i kontraktuar nga Bashkia Tiranë, është pjesë e projektit “Kryeqytetet bashkëpunojnë për sfidat e përbashkëta në menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme - Jerevan, Varshavë, Tiranë” dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.