Workshop për zëvendësimin e sobave të drurit

Qendra EDEN është zbatuese në Shqipëri të projektit rajonal “Partneritet për Soba Druri eficente” dhe në datë 15 nëntor zhvilloi ëorkshopin online për përceptimin e banrëve në lidhje me mundësinë e ndryshimit të sobave të drurit.RES FoundationZ. Stevan Vujasinovic, RES Foundation dha një përshkrim të përgjithshëm të projektit dhe rëndësinë që ka zhvillimi i një projekti të tillë në rajon dhe sfidat e hasura. Kemi zona të ndryshme, klimë të ndryshmë, gjendje ekonomike të ndryshme, dhe produktet e këtij projekti do jenë në formën e një libri recetash që do I drejtohet politikëbërësve për të zgjedhur alternativën më të mirë për të përfshirë çdo shtresë shoqërore në skemën e ndryshimit të mënyrës së ngrohjes.

Takimi vijoi me prezantimin nga IDRA të studimit mbi përceptimin e banorëve rreth ndryshimit të mënyrës së ngrohjes.

Pjesëmarësit ndanë shqetësimin e tyre në lidhje me sobën e druve. Shpeshherë druri shihet si alternativa e vetme në zonat e ftohta për përballimin e dimrit dhe më të ndjeshmet janë zonat rurale në Shqipëri.

Pjesëmarrësit i qëndruan mendimit që më tepër informim dhe ndërgjegjësim dhe mbështetje financiare duhet të zhvillohet në mënyrë që qytetarët të përkrahin më shpejt ndryshimin e teknologjisë në mënyrën e ngrohjes.

Në fund takimi u mbyll me shfaqien e videos rreth realitetit në Shqipëri të ngrohjes me dru.

Në datën dy dhjetor 2021 do të mbahet takimi përmbyllës i projektit dhe ju ftojmë të merrni pjesë, për më shumë gjendet këtu informacioni rreth takimit përmbyllës.

Takim i OJF-ve me Ministren Kumbaro mbi zonat e mbrojtura

Një numër Organizatash të Shoqërisë Civile, aktive në fushën e mbrojtjes së natyrës, patën sot e Premte, 29 Tetor 2021, një takim me Znj. Kumbaro, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit.
Takimi u kërkua nga rreth 50 organizata pjesë e grupimit për kauzën e ruajtjes së zonave të mbrojtura (ZM) nga procesi jo i drejtë i rishikimit të kufijve, nisur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që prej vitit 2019.
Sikurse në këto dy vitet e fundit, grupimi i OJF-ve ishte tejet kritik si ndaj procesit të ndjekur nga Ministria si dhe për ndikimin e këtij procesi sidomos në zonat ligatinore bregdetare që janë njëkohësisht dhe epiqendra e larmisë3 biologjike të Shqipërisë.

OJF-të ritheksuan se:
1. Procesi i ndjekur deri më sot nga Ministria është në kundërshtim me legjislacionin për Zonat e Mbrojtura dhe me gjithë kuadrin ligjor për këshillimin publik që garanton transparencën në vendimarrje;
2. Pasojat e rivlerësimit të nxituar, jo komform ligjeve dhe të pa bazuara shkencërisht në Zonat e Mbrojtura janë tejet negative për larminë biologjike kombëtare e sidomos për ZM-të ligatinore që janë njëherazi ZM ndërkombëtare (Ramsar, IBA, KBA, Emerald dhe Natura 2000)

Thuajse i njëti qëndrim mbahet dhe nga institucionet ndërkombëtare:
1. Duke trajtuar ngjarjen me hollësi, Delegacioni i BE-së në Shqipëri thekson në raport progresin e fundit (2021) se Këshilli Kombëtar i Territorit ka aprovuar pa këshillim publik hartën e rishikuar të ZM-ve duke i fragmentarizuar dhe reduktuar ato dhe duke cënuar funksionalitetin ekologjik të ZM-ve. BE i kërkon Shqipërië të dëgjojë komunitetin shkencor dhe palët e tjera të interesit në vend.
2. Gjithashtu, donatorët kryesorë në fushën e mjedisit e shohin procesin dhe planet me ndikim të fortë në biodiversitet dhe jo transparent.

Mbështetur në sa më lartë ne e ricilësuam procesin jo të ligjshëm dhe përmbajtjen e tij shumë të gabuar. Ndaj, i kërkuam Ministrisë të mos nxitojë me procesin e rishikimit të Zonave të Mbrojtura. Po kështu, ne i ofruam Ministrisë mendimet tona si më poshtë:
1. të hartojë paraprakisht Planin Specifik të ZM-ve në përputhje me ligjin per Zonat e Mbrojtura. Ky plan duhet të hartohet në bashkëpunim me shoqërinë civile. Plani duhet të tregojë dhe nevojën e ndryshimit, heqjes dhe shtimit të zonave të mbrojtura.
2. të rikryejë studimin për rishikimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura. Për çdo ZM duhet të ketë një grup specifik ekspertësh që të japin kontribut me të dhëna dhe të japin komente për sipërfaqen, habitatet, speciet dhe zonimin e brendshëm të çdo zone të mbrojtur.
3. të mos cënojë ndërkaq asnjë sipërfaqe të çfarëdo zone të mbrojtur përpara kryerjes së Planit dhe rikryerjes së procesit të rishikimit të sipërfaqes.

Ne falenderojmë Ministrin Kumbaro për mundësinë e këtij takimi që u konsiderua prej saj si vetëm një hap i parë bashkëpunimi me këtë pjesë të shoqërisë civile. E vlerësojmë shumë gjithashtu dëshirën e saj për takime të tjera tematike. Por vizita jonë sot dhe kërkesat tona që prej më shumë se dy vitesh lidhen me moscënimin e zonave të mbrojtura e sidomos të zonave të mbrojtura ligatinore bregdetare.
Për fat të keq, Ministri Kumbaro nuk tregoi se ishte e gatshme të niste rishikimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) të Dhjetorit 2020 që redukton, fragmentarizon zonat e mbrojtura dhe çon në degradim të larmisë biologjike.
Për fat të mirë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ende në dorë mosligjërimin e vendimit të gabuar të KKT-së. Ne i treguam sot Ministrisë se cila është rruga që ne presim të ndiqet nga ky institucion publik. Mjafton të ndiqen mendimet dhe kërkesat tona më lartë!
Nëse ky vullnet nuk ekziston atëherë OJF-të do të ndjekin misionin e tyre në mbrojtje të së mirës publike nëpërmjet fushatës aktive për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe përdorimit të të gjitha formave të ankimimit administrativ dhe ligjor.

Trajnim dy ditor për vlerat ndërkufitare natyrore

Takim midis dy kryetareve te bashkiveIMG 3256

Trajnim dy ditor mbi rëndësinë e vlerave natyrore të zonës ndërkufitare “Biodiversiteti- Vlerat dhe kercenimet e tij në rajonin ndërkufitar" u zhvillua në Shqipëri në Has në datat 28-29 tetor 2021. Trajnimi për ngritjen e kapaciteteve u fokusua në vlerat aktuale të biodiversitetit dhe rëndësinë e mbrojtjes së burimeve natyrore të zones ndërkufitare. Pjesëmarrësit rreth 32, nga Shqipëria, zona e Hasit dhe nga Kosova, zona e Klinës u bashkuan për të diskutuar mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit të zonës ndërkufitare, i cili përfshin specie të rëndësishme endemike dhe ka vlera të rëndësishme natyrore me ekonomi të madhe. Vlerat natyrore të zonës janë potencial si dhe janë parakusht për të zhvilluar turizmin, bujqësinë, pylltarinë, aktivitetet mjekësore etj.

Trajnimi për zhvillimin e kapaciteteve përfshiu përfaqësues nga Bashkia e Hasit, Kukësit, Klina, fermerë, aktivistë socialë, aktivistë mjedisorë, anëtarë të shoqërisë civile etj., të cilët bashkërisht diskutuan vlerat specifike të zonës ndërkufitare, në punë praktike në grup. Gjatë trajnimit u ngritën çështje të rëndësishme për të dyja zonat ku zbatohet projekti, u theksua rëndësia e ndërgjegjësimit dhe u diskutua rëndësia e mbrojtjes së botës së egër. U vunë në dukje dhe u diskutuan kërcënimet në lidhje me biodiversitetin si bujqësia, miniera, pylltaria. Kimikatet, insekticidet dhe pesticidet u trajtuan në mënyrë specifike për ndikimin që kanë në zinxhirin ushqimor që në fund të fundit dëmton shëndetin e njeriut.

Trajnimi vazhdoi në ditën e dytë me një vizitë në malin e Pashtrikut, ku u krye punë specifike mbi shembullin e biodiversitetit të dy bashkive. Kërcënimet ndaj biodiversitetit, bashkëpunimi ndërmjet palëve të interesuara, mënyra konkrete se si të hartohen plane veprimi për mbrojtjen e biodiversitetit dhe mjedisit u prezantuan para pjesëmarrësve në një punë në grup.

Trajnimi do të do të shoqërohet me një udhëzues për ti ardhur në ndihmë banorëve në zonën ndërkufitare të kenë dokumentacion praktik që mund t'i ndihmojë ata në kontributin e tyre në mbrojtjen e mjedisit dhe vlerësimin e vlerave natyrore të rajonit.

Fotografitë e aktivitetit mund ti ndiqni në facebook të qendrës EDEN duke klikuar këtu

Ky është trajnimi, i treti nga pesë trajnimet për zhvillimin e kapaciteteve, zhvillohet në kuadër të projektit ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian - IPA II "  KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente". Projekt zbatohet nga Balkan Green Foundation në Kosovë dhe Qendra mjedisore EDEN në Shqipëri me partnerët e saj në pushtetin lokal Komuna e Klinës dhe Bashkia e Hasit.

Web footer Green Corss

 


 

Java Ndërkombëtare e Plumbit 2021

Eleminoni plumbin

JAVA NDËRKOMBËTARE E PARANDALIMIT TË HELMIMIT NGA PLUMBI 2021

ELIMINO PLUMBIN – QENDRO I SIGURT!

Java Ndërkombëtare e Parandalimit të Helmimit nga Plumbi 2021 (#IPPLW) vjen në Shqipëri nga Qëndra EDEN, sikurse çdo vit, me mbështetjen e rrjetit global IPEN. #IPPLW është një nismë e Aleancës për Plubmin (Lead in Paint Alliance), dhe si një ngjarje e përvitshme mbahet përgjatë javës së fundit të Tetorit. Java e nëntë e kësaj fushate ndërgjegjesuese ndërkombëtare për vitin 2021 do të mbahet me 24-30 Tetor 2021.

Prodhimi dhe tregtimi i plumbit në bojërat është ende i ndaluar në më shumë se 55% të shteteve, duke përfaqësuar kështu ende një rrezik të vazhdueshëm dhe burim ekspozimi ndaj plumbit në të ardhmen për fëmijët dhe punëtorët në fushën e ndërtimit. Fokusi për këtë vit është nevoja për të përshpejtuar kalimin në një fazë për reduktimin e plumbit në bojëra duke ndërmarrë masa ligjore dhe rregulla përkatëse.

ÇFARË ËSHTË ELEMENTI I PLUMBIT?

Plumbi është një metal i rëndë me ngjyrë blu-gri. Ka pikë shkrirjeje të ulët, merr formë dhe derdhet kollaj dhe mund të kombinohet me metale të tjera për të formuar aliazhe (shiko kutinë 1 për më shumë fakte rreth plumbit). Për këto arësye, plumbi është përdorur nga njerëzit për mijëvjeçarë dhe sot është i përhapur në produkte të ndryshëm si: tuba, bateri për ruajtje, pigmente dhe bojra, glazura, produkte vinili, pesha, predha e municione, mbulesa kabllosh dhe mburoja për radioaktivitetin. -ISHP, Helmimi nga Plumbi.

NDIKIMI NË SHËNDET I PLUMBIT

Kontakti i vazhdueshëm me elementin e plumbit cënon funksionin e aparateve kryesore të organizmit të njeriut, si – sistemi nervor, skeletik-muskular, qarkullimit të gjakut, aparati i riprodhimit dhe tretës. Helmimi nga plumbi shkakton kryesisht zhvillimin e inteligjencës tek fëmijët, duke i penguar atyre fokusimin, duke i ulur kapacitetin e memories afatshkurtër dhe afatgjatë si dhe duke i rritur sjelljet agresive. Dëmet e shkaktuara nga plumbi janë të pakthyeshme, ndaj si rrjedhojë ekspertët rekomandojnë parandalimin e përdorimit të saj.

Për #IPPLW2021, Qendra EDEN do të organizojë fushatën kombëtare “Elemino Plumbin – Qëndro i Sigurt!”, me mbështetjen e IPEN, duke organizuar aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese si: ëorkshop informues me të rinjtë, fushatë të shkurtër dixhitale informimi, video ndërgjegjësuese me aktorë kyç të kësaj çështjeje. Për t’u informuar dhe marrë pjesë në aktivitetet për javën e ndërkombëtare të plumbit, ndiqni rrjetet sociale të Qendrës EDEN.

Letër drejtuar Ministres Kumbaros për Zonat e Mbrojtura

Tiranë më 19/10/2021

Drejtuar: Znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit
Për dijeni: Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura
Objekti: Kërkesë për takim me Ministren Kumbaro nga grupimi i 49 organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit lidhur me proçesin dhe përmbajtjen e draft-vendimeve të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura në Shqipëri.

E nderuara znj. Kumbaro,

Së pari, pranoni ju lutem urimet tona për detyrën e re duke shpresuar në një bashkëpunim të frytshëm midis jush dhe shoqërisë civile aktive në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit.

Së dyti, na lejoni që nëpërmjet kësaj letre, të kemi vëmendjen tuaj drejt diskutimit të së ardhmes së zonave të mbrojtura të vendit, që janë sot gjithnjë e më të kërcënuara prej investimeve të paqëndrueshme përreth dhe brenda tyre, investime të materializuara në formën e infrastrukturës së transportit, energjisë së ripërtëritshme, zhvillimit urban, bujqësisë intensive etj.

Ky diskutim nuk është aspak i ri për administratën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Është një diskutim i kahershëm, njëkohësisht shumë i rëndësishëm, por i lënë pezull që prej legjislaturës së shkuar.

Sikurse mund të jeni në dijeni, ne, përfaqësuesit e 49 organizatave të shoqërisë civile dhe të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit kemi shprehur që prej Tetorit 2019 kundërshtinë tonë për procesin dhe planet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për rishikim të kufijve, zonimit të brendshëm dhe statusit të Zonave të Mbrojtura të vendit e sidomos të atyre ligatinore bregdetare.

Kundërshtimi ynë është shprehur në të gjithat format e mundshme të komunikimit me administratën përfshirë takime me stafin e Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, takime të hapura me praninë e Ministrit Klosi, takim të ngushtë me anëtarë të kabinetit të ministrit, letra të grupimit të OJF-ve, qëndrime të OJF-ve në konferenca shtypi, takime të organizuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit etj. Për fat të keq, asnjë nga komunikimet tona me shkrim me Ministrinë nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, të ftuar në takimin më të fundit të datës 28.07.2021, në Tiranë, ne, grupimi i 49 OJF-ve dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, cilësuam se proçesi i ndjekur për të mbërritur në këtë takim ishte në kundërshtim të hapur me të gjitha kriteret ligjore për të qenë një konsultim publik, duke qenë se i gjithë proçesi u parapri nga mangësi të theksuara, të cilat cenojnë diskutimet dhe vendimmarrjen përfundimtare për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe tepër të ndjeshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Në mënyrë më konkrete ne theksuam se proçesi i këshillimit nuk është konform legjislacionit në fuqi. Kjo është treguar më së miri nga mosrespektimi i afateve në këshillim si dhe mungesa e një sërë dokumentacionesh që i kërkon ligji. Më konkretisht mungonin:

  1. mendimet e institucioneve akademike dhe shkencore për secilin projekt-vendim;
  2. mendimet me shkrim të bashkive brenda dhe rreth zonave të propozuara për secilin projekt-vendim;
  3. vlerësim i ndikimit në mjedis i proçeseve dhe kategorive të veprimtarive, të cilat mund ta kërcënojnë diversitetin biologjik për secilën projekt VKM;
  4. vëzhgimi i ndikimit social dhe ekonomik të popullatës vendore për secilin projektvendim;
  5. përshkrimi i masave kompensuese për secilin projekt-vendim;
  6. përshkrimi i masave zbutëse për secilin projekt-vendim;
  7. argumentimi për heqjen e statusit për secilin projekt-vendim dhe
  8. argumentimi i nevojës së ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës.

Gjithashtu ne ritheksuam se pasojat e rivlerësimit në Zonat e Mbrojtura janë tejet negative për larminë biologjike të tyre dhe atë kombëtare të shprehura në:

  1. Rrezikim të integritetit ekologjik të thuajse çdo ZM-je;
  2. Copëzim dhe fragmentarizim i thuajse çdo ZM-je;
  3. Rrezikim të habitateve dhe specieve të mbrojtura në disa nivele;
  4. Rrezikim të habitateve dhe specieve në zona Ramsar, IBA, KBA dhe Kandidate Emerald
  5. Rrezikim të larmisë biologjike në habitatet bujqësore pavarësisht rëndësisë së tyre për specie të mbrojtura dhe të rrezikuara në shkallë lokale, europiane dhe globale;
  6. Vendosjen zonave qendrore të cdo ZM-je nën presionin e aktiviteteve ekonomike të paqëndrueshme sikurse urbanizim, industrializim, infrastrukture transporti dhe bujqësi intensive dhe
  7. Krijimin e precedentit të rrezikshëm që sa herë të ketë interesa ekonomike të paqëndrueshme, ZM-të do të tkurren për ti lënë vend këtyre zhvillimeve.

Nisur nga sa më sipër. ne kërkuam në vijim, nëpërmjet letrës sonë të datës 30.07.2021 që Ministria të mos propozojë ndërkaq asnjë ndryshim në rrjetin aktual të Zonave të Mbrojtura pa studime të detajuara dhe pa argumentet e duhura për secilën zonë. Po kështu, theksuam se nëse Ministria nuk ndjek këtë qasje, me shumë keqardhje, ne, 49 organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, do ta cilësonim çdo proçes jo të ligjshëm, nuk do ta pranonim proçesin dhe vendimmarrjen si dhe ta ankimonim këtë proçes dhe vendimmarrje si nga ana proçeduriale dhe po kështu përmbajtësore.

Së fundi, ne besojmë se çdo vendimmarrje e ardhshme duhet të kryhet në transparencë dhe në ndryshim të plotë nga vendimmarrjet e fshehta të mëparshme e sidomos ajo e KKT-së së datës 28 Dhjetor 2020. Mungesa e transparencës në këtë proçes është theksuar më parë edhe nga Delegaconi Europian në Shqipëri dhe donatorë të tjerë të rëndësishëm. Përfaqësues të tyre kanë konsideruar proçesin të papranueshëm dhe kanë kushtëzuar mbështetjen e mëtejshme financiare të programeve në fushën e mjedisit me një vendimmarrje të mirë-këshilluar dhe pa pasoja në larminë biologjike të zonave të mbrojtura e më gjerë. Ky deklarim është një ogur jo i mirë dhe një pengesë serioze për integrimin europian të Shqipërisë.

Megjithë mangësitë e proçesit të ndjekur deri më sot, mbetemi me shpresë se Ministria dhe ne, grupimi i 49 organizatave aktive në fushën e mjedisit dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit, kemi ende kohë të punojmë së bashku për të përmirësuar proçesin dhe vendimmarrjen e mundshme. Për të arritur këtë synim të përbashkët, ne kërkojmë një takim këshillimor me Ju Znj. Kumbaro, mundësisht brenda dy javëve, duke qenë të bindur se opinioni ynë, sidomos për tematika që lidhen me rivlerësimin e zonave të mbrojtura, është i domosdoshëm dhe i mirëpritur në këtë legjislaturë të re.

Falemnderit,

Lista e nënshkruesve:
1. Agjencia e Demokracisë Vendore Shqipëri (LDA Albania )
2. Albanian National, Professional, Business Women and Crafts' Association (SHGPAZ)
3. Albanian Ornithological Society (AOS)
4. Birds of Albania
5. Community Reporters Albania
6. FOUR PAWS
7. Grupi ATA
8. Grupimi Mbro Parkun Kombëtar Zall Gjocaj,
9. Help – Hilfe zur Selbsthilfe
10. ILIRIA – Protection and Social & Environmental Development Association, Albania
11. Institute for Environmental Policy, Albania (IEP)
12. Institute for Habitat Development (Co-Plan)
13. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
14. Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit
15. Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome
16. Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza (LKGV)
17. Milieukontakt Albania
18. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
19. Qendra “Gratë në Shërbim Publik”
20. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)
21. Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë” Shkodër
22. Qendra e Këshillimit te Grave dhe Shërbimeve Sociale Kukës (WCSSC)
23. Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (NCCS)
24. Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER)
25. Qendra Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN)
26. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
27. Qendra për ruajtjen e ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
28. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA)
29. Qendra për Zhvillim Komunitar "Sot për të Ardhmen"
30. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD)
31. Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes (ACFD)
32. Qendra TREJA
33. Qendra UJA
34. Qendra Vatra
35. Red Tree Heritage Institute Slovenia
36. Resource Environmental Centre, (REC Albania)
37. Respublica
38. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
39. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive
40. Sustainable Urban Planning Organization
41. Shoqata “Well Point” Kujdes për të gjithë
42. Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”
43. Shoqata GCA
44. Shoqata Gender, Paqe e Siguri
45. Shoqata Unë, Gruaja
46. Shoqata “Together for life”
47. Të bashkuar Pro Kauzës LGBT (Pro LGBT)
48. Women’s Democracy Network Albania (WDN Albania)
49. WWF Adria – Zyra për Shqipërinë

1. Prof. Aleko Miho
2. Prof. Ferdinand Bego
3. Prof. As. Mihallaq Qirjo
4. Prof. Spase Shumka

Kërkesë për takim me Ministren Kumbaro nga grupimi i 49 organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit lidhur me proçesin dhe përmbajtjen e draft-vendimeve të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura në Shqipëri