Një e vërtetë e papërshtatshme, në Durrës
Edicioni i katërt i Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit edhe këtë vit u zhvillua në qytetin e Durrësit prej datës 27 Gusht deri në 2 Shtator. Publiku ka patur mundësi të shijojë shfaqjen e disa nga prodhimeve më të njohura botërore kinematografike në Amfiteatrin Antik Romak dhe në Qendrën Rinore të fëmijëve.
Dokumentarëve dhe me tematike mjedisore i është kushtuar një vëmendje e vecantë ku vlen per tu permendur Një ë vërtetë e papërshtatshme "An inconvienient truth", i Al Gore i shfaqur të hënën datë 29 gusht 2011.
Java ndërkombëtare e filmit cilësohet dhe përbën një ndër eventet më të rëndësishme të jetës kulturore shqipare, ndaj gjej rastin të falenderoj të gjithë ata që mundësuan realizimin e saj, dhe në mënyrë të vecantë Ambasadën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për ftesën dhe për faktin që është mbështetëse e vazhdueshme e cështjes mjedisore në Shqipëri prej fillimeve të kësaj të fundit- shprehet Z. Ermelinda Mahmutaj drejtoreshë e qendres mjedisore EDEN, gjatë hapjes së mbrëmjes.
Ky dokumentari i vitit 2006 fitues i cmimit Academy Award, vazhdon të jetë mjaft goditës në përmbajtjen e tij. Jep një përshkrim me situata, leksione, kërkime shkencore, të dhëna konkrete për gjendjen alarmante të ngrohjes globale që na kanoset gjithmonë e më shumë dhe më shpejt. Al Gore paraqet fakte të situatës së tanishme të krizës klimatike dhe parashikime të mundshme, të cilat janë mjaft mbresëlënse. Në këtë mënyrë ai synon të ngacmojë ndërgjegjen e secilit prej nesh, duke na bërë thirrje për rishikim të veprimeve tona kundrejt ndikimit negative që mund të kenë ato në natyrë dhe më tepër në ngrohjen globale.
Al Gore e ka zhvilluar këtë dokumentar drejpërsëdrejti në mjaft vende të botës duke shpresuar që përcimi i mesazhit të tij të jetë sa më i fortë. Ne le të shpresojmë që vetëm shikimi i tij në sallën e Qendrës Rinore të Fëmijeve të ketë vënë pak në mendime dhe në veprim të gjithë të pranishmit për një ndryshim sa më pozitiv.