
Tiranë, 6 shkurt 2019
DEKLARATË PËR MEDIAN
Përmbledhje e argumentave kryesorë të letrës së pozicionimit “Qëndrim i organizatave mjedisore dhe ricikluesëve mbi ngritjen e impiantit të djegies në jug dhe në lindje të venddepozitimit ekzistues në zonën e Sharrës, Tiranë”
I nderuar Z. Klosi,
E nderuar Znj. Balluku,
I nderuar Z. Veliaj,
Ne, 20 organizata mjedisore dhe riciklimi në Shqipëri, KUNDËRSHTOJMË kontratën e koncesionit “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike” Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë (ZTMT), dhe kërkojmë anullimin e saj mbi argumentimin si më poshtë:
- Vendimi për djegien e mbetjeve urbane vjen si një diktim nga lartë-poshtë, në mungesë transparence dhe në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe evropiane për menaxhimin e mbetjeve urbane. Theksojmë se projektet siç janë impiantet e djegies, janë investime të cilat kushtojnë financiarisht dhe kanë ndikim afatgjatë në ekuilibrat e fushave të ndryshme të jetës.
- Mungojnë argumentat që mbrojnë domosdoshmërinë e kësaj vendimmarrje politike të nxituar dhe të papërgjegjshme Vendimi nuk mbështetet mbi studime të mirëfillta të gjenerimit total të mbetjeve urbane në bashkitë e vendit, apo në raporte monitorimi të gjendjes aktuale të menaxhimit të mbetjeve. Aq më tepër në një kohë kur nevojat për investime publike në sektor janë të mëdha dhe investimet e ngjashme kanë treguar që janë një dështim (sjellim në vëmendje mos funsionimin me kapacitet të plotë të incineratorit të Elbasanit).
- Për një investim kaq të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës, në kuadër të transparencës, e konform detyrimeve ligjore, duhet të ishin bërë publike, të gjitha fazat e procesit. Nga verifikimet e bëra në faqet zyrtare të institucioneve të përfshira në këtë proces dhe të korrespondencës zyrtare, rezulton se këto detyrime janë përmbushur pjesërisht. Në rastin konkret, konsultimi me publikun ka filluar gati dy vjet pas marrjes së Vendimit nga Këshilli i Ministrave për ndërtimin e impiantit të djegies në Sharrë.
- Studimi i fizibilitetit analizon në mënyrë të njëanshme dhe sipërfaqësore ndikimet dhe përfitimet sociale, ekonomike dhe mjedisore të këtij investimi. Si i tillë ai ngre më shumë pikëpyetje dhe argumenta kundër ndërtimit të impiantit të djegies së mbetjeve në Sharrë se sa në favor të tij:
- Studimi nuk trajton asnjë alternativë tjetër të trajtimit të mbetjeve urbane, që është edhe detyrim ligjor. Si i tillë ai nuk mund të arrijë në përfundimin e faktuar dhe të analizuar që ngritja e impiantit të djegies së mbetjeve urbane është qasja më e qendrueshme dhe zgjidhja më e mirë.
- Projekti i impiantit fokusohet tek hallka e fundit e hierarkisë së mbetjeve, duke kapërcyer parandalimin, ripërdorimin dhe riciklimin, kjo në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sasia totale e mbetjeve të trajtuara nga impianti në të katërta linjat do të jetë rreth 920 ton/ditë. Kjo sasi e detyron të gjithë Qarkun e Tiranës të ndalojë veprimtarinë ricikluese për të paktën 30 vitet e ardhshme. Pse?
- Sepse Qarku i Tiranës nuk e arrin shifrën prej 920 ton/ditë ndaj do të detyrohet të dërgojë të gjithë sasinë e gjeneruar të mbetjeve në impiantin e djegies.
- Sepse vetë studimi në mënyrë jo të drejt përdrejtë pohon se skemat për aktivitetin riciklues nuk janë konsideruar të mundshme gjatë operimit të impiantit të djegies.
Si rrjedhojë e të gjithë kësaj, pengohet përmbushja e targeteve të vendosura nga Strategjia dhe Plani Kombëtar i Mbetjeve 2010 – 2025, ligjit kuadër të menaxhimti të mbetjeve dhe VKM-ve për rrymat e veçanta të mbetjeve, duke i bërë ato të pa zbatueshme.
- Tarifa për trajtimin e mbetjeve prej 29 Euro/ton e pa ndryshueshme në zbritje për 30 vite do t’i shpërndahet tarif-paguesve (qytetarëve) sipas një rregulli akoma të paqartë. Barra shtesë financiare do të jetë jo më pak se 7.5 milionë Euro në vit. Kësisoj detyrimi vjetor i Bashkisë Tiranë për të menaxhuar mbetjet do të jetë pothuaj dyfish në vit.
- Tarifa e nxjerrë nga analiza dhe vendosur në kontratë, 29 Eur/ton, është më e ulët se impiantet e ngjashme në Evropë. Kjo tarifë me gjasë nuk mund të mbulojë operimin e impiantit sipas standardeve të BE-së dhe as kostot e mirëmbajtjes dhe të mbylljes së venddepozitimit të Sharrës.
- Projekti do të hapë vetëm 27 vende pune. Kjo shifër është shumë e ulët krahasuar me shifrën që deklaron shoqata e ricikluesëve në Shqipëri, sipas së cilës vetëm në rajonin e Tiranës janë të vetë punësuar si grumbullues individual rreth 1.200 familje, shumica e tyre nga komuniteti rom.
- Përmes një anketimi me 300 banorë në zonën e Sharrës, rezultatet tregojnë se edhe në mungesë totale informacioni, banorët nuk kanë besim të plotë në këtë investim. Gati gjysma e tyre nuk mendojnë se impianti do të rrisë nivelin e riciklimit në qytet, dhe se ka metoda të tjera që duhen marrë në konsideratë.
Nga argumentimi më sipër, ky vendim qeverie thyen demokracinë dhe kjo kontratë koncesionare tregon një trend politik që devijon jashtë standardeve dhe rrugës së Bashkimit Evropian.
Organizatat e shoqërisë civile kanë sjellë më herët në vëmendje nevojën për ndryshime në legjislacionin e koncesioneve. Gjejmë vendin përmes kësaj letre të kundërshtojmë edhe një herë të gjithë procedurën e kontratave koncesionare në Shqipëri, të cilat duke keqinterpretuar dhe shfrytëzuar hapësirat e ligjeve në fuqi kanë uzurpuar zhvillimin në vend në kurriz të një mjedisi të shëndetshëm dhe si pasojë në kurriz të ekzistencës dhe qendrueshmërisë të vetë brezave të ardhshëm.
***
Kontakt:
Qendra Mjedisore EDEN
Rr. Bogdanëve, Nd.13, H.1, Ap.8 Njësia administrative 10, Kodi postar 1001
Tiranë, Shqipëri
www.eden-al.org | This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. | +355 4 222 76 15
Deklaratë për shtyp rreth qëndrimit të organizatave të shoqërisë civile dhe bizneseve të riciklimit mbi incineritorin e Tiranës 
Letra e pozicionimit, 6 shkurt 2019: Qëndrim i organizatave mjedisore dhe ricikluesëve mbi ngritjen e impiantit të djegies në jug dhe në lindje të venddepozitimit ekzistues në zonën e Sharrës, Tiranë 